Në anën tjetër, nëse bëhet një krahasim në mes të ritmit të lindshmërive (në vit lindin më shumë se 1.000 fëmijë) dhe kapacitetit të çerdheve, do të shohim se një pjesë e madhe fëmijëve të ciklit parashkollor në qytetin Kumanovës mbeten të pa përfshirë në çerdhe, si pasojë e mungesës së tyre. Ky problem vërehet sidomos te familjet shqiptare, të cilat kanë ankesa të mëdha për arsye se në lagjet ku ata banojnë, çështja e çerdheve ende konsiderohet një luks i tepruar.
“Kam dy vajza pesë dhe tre vjeç, po fatkeqësisht vetëm vajza e madhe është pranuar në çerdhe për shkak të numrit të limituar. Ne të dy prindërit jemi në punë dhe jetojmë vetëm, nuk kam mundësi se ku ta lë vajzën e vogël. Kërkojmë nga komuna dhe kryetari që premtimin që pat bërë që në mandatin e parë, ta vë në funksion deri në fund të këtij viti. Ne votuam për të vetëm për shkak të këtij premtimi”, deklaroi A.G- prind i një fëmije në çerdhen “Angell Shajçe”.
Ndërkaq, Marina Aleksovska drejtoresh në çerdhen “Angell Shajçe”, për gazetën KOHA, deklaroi se numri i fëmijëve është rritur shumë që nga hapja dhe zgjerimi i objekteve. “Në kopshtin tonë janë regjistruar 1737 fëmijë. Numri është rritur që nga hapja e ‘Angell Shajçe’ – Kumanovë. Kërkesat tona drejtuar komunës së Kumanovës janë zgjerimi i objekteve të OJUDG, por jo dyfish. Në qytetin e Kumanovës ky kopsht për nga numri i fëmijëve është më i madhi, dhe për këtë kemi nevojë për rritjen dhe zgjerimin e kapaciteteve të çerdhes, dhe për këtë çdo vit çerdhja dorëzon raport vjetor dhe kërkesë në Këshillin e Komunës së Kumanovës. Zgjerimi i objekteve janë investime të mëdha kapitale dhe si çerdhe komunale është përgjegjësi e komunës së Kumanovës. Në çerdhen ‘Angell Shajçe’ momentalisht funksionojnë 8 objekte, ku fëmijët e regjistruar janë të shpërndarë në 62 grupe arsimore. Për momentin 298 fëmijë janë në listën e pritjes”, ka deklaruar për KOHA, Marina Aleksovska.
Këshilltari në Komunën e Kumanovës nga radhët e BDI-së, Fitor Jakupi tha për gazetën KOHA se pas mandatit të parë të Dimitrievskit e deri para dy muajve, kërkesat kanë qenë të vazhdueshme për çerdhet shqipe, por gjithmonë me përgjigje negative. “Që pas mandatit të parë të kryetarit Dimitrievski, kërkesat për çerdhet shqipe janë bërë vazhdimisht. Kërkesa e fundit ishte para dy muajve, mirëpo pa përgjigje. Nuk e di intencën e kësaj dukurie, sepse premtimi për ndërtimin e çerdhes shqipe në lagjen ‘Bajram Shabani’ është bërë që prej marrjes së detyrës së kryetarit, premtim që mbeti vetëm në letër. Ndërtimi i çerdheve u planifikua edhe në ‘Lagjen e Trimave’ apo te ‘Tregu i gjelbër’, mirëpo si duket as komuna e as kryetari nuk kanë ndërmarrë asnjë hap. Si ne edhe prindërit ndjehen shumë të revoltuar, sepse në disa familje ka prindër që jetojnë vetëm dhe punojnë, por që nuk kanë mundësi ti lënë fëmijët parashkollorë”, theksoi Fitor Jakupi, këshilltarë në Komunën e Kumanovës nga radhët e BDI-së.
Mungesën e çerdheve, përpos lagjeve shqiptare në qytetin e Kumanovës, po e ndjejnë edhe fshatrat përreth si Rramanli, Llopat dhe Çerkez. Numri i fëmijëve në këto fshatra është mjaftueshëm i madh dhe nevoja për çerdhe është esenciale për prindërit e këtyre fshatrave. Ata ndihen të diskriminuar nga Komuna dhe institucionet shtetërore, sepse ndjehen të lënë pas dore. Prindërit e këtyre fshatrave për gazetën KOHA u shprehën se prioritetet për pranimin e fëmijëve ju takojnë maqedonasve e më pas qytetarëve të Kumanovës.
Gazeta KOHA tentoi për këtë çështje tentoi të merr përgjigje nga Komuna e Kumanovës dhe kryetari i saj Maksim Dimitrievski, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk morëm përgjigje. (koha.mk)