S’ka marrëveshje paqeje pa Kievin”/ Zelensky: Biseda e Trump me Putin, “e pakëndshme”

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina nuk do të pranojë një marrëveshje paqeje të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë pa përfshirjen e Kievit.

Marketing

“Si vend i pavarur ne thjesht nuk mund të pranojmë asnjë marrëveshje pa ne. Dhe këtë ua shpreh shumë qartë partnerëve tanë. Ne nuk do të pranojmë asnjë negociatë dypalëshe për Ukrainën pa ne”, tha Zelensky.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump foli në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin, përpara se ai të mbante një telefonatë edhe me Zelensky.

Zelensky tha se fakti që Trump foli fillimisht me Putinin nuk ishte “i këndshëm”. Ai shtoi se bisedimet me Rusinë duhet të zhvillohen vetëm pasi “të jetë përpunuar një plan për të ndaluar Putinin”.

Telefonata e Trump me Putin dhe komentet e sekretarit të mbrojtjes së Trump, Pete Hegseth, i cili tha se Kievi nuk mund të bashkohet me NATO-n dhe se kthimi në kufijtë e Ukrainës para 2014 është jorealist, kanë shkaktuar alarm në Europë se Shtëpia e Bardhë mund të kërkojë të bëjë një marrëveshje me Rusinë pa e përfshirë bllokun.

Zelensky tha se ishte e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina të hartonin një plan për t’i dhënë fund luftës përpara se të bisedonin me palën ruse.

Ai ka bërë presion për të takuar Trump përpara se presidenti amerikan të takohet me Putinin, megjithëse republikani tha se ai pret të takohet me Putinin në të ardhmen, ndoshta në Arabinë Saudite.

Ukraina ka thënë se është duke punuar për një takim Zelensky-Trump, por asgjë konkrete nuk është njoftuar deri më tani.