Pagat e funksionarëve nuk do të rriten më ne përputhje me ligjet dhe koeficientët aktual, tha kryeministri Hristijan Mickoski duke ju përgjigjur kërkesave të Lidhjes së Sindikatave, të bërë një ditë më parë.
Sindikalistët kërkuan rritje të pagës minimale dhe të ulet paga e funksionarëve të cilët prej më shumë muajsh marrin rrogë për 78% më të lartë.
“Rritje të pagave të funksionarëve nuk do të ketë. Rritja prej 78% do të jetë pjesë e zgjidhjes ligjore që së shpejti do të gjendet para deputetëve, përfshirë edhe ato rroga që rregullohen me një koeficient të caktuar dhe janë pjesë e rrogave që i marrin të punësuarit në administratën publike. Kjo shumë shpejt do të jetë në rend dite në Kuvend. Rritje shtesë u siguroj se funksionarët nuk do të kenë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Megjithatë, për momentin nuk do të ketë as rritje të pagës minimale. Kryeministri tha se kërkesat e kreut të lidhjes së sindikatave janë të sinkronizuara me ata të LSDM-së dhe të ndikuara politikisht.
“Unë do të doja që rroga të ishte edhe 5 mijë euro por duhet të vijmë deri aty. Duke e pasur parasysh gjendjen që e kanë lënë dhe harmonizimet e paparashikuara sipas Marrëveshjeve kolektive të cilat duhet të harmonizohen tani me rishikimin e buxhetit, dhe që i njëjti ajo sindikatë u mashtrua nga ministrja e atëhershme e Punës dhe Politikës Sociale, vijmë në përfundim se bëhet shumë politikë dhe ka pak bazë për realizimin e të drejtave të punëtorëve” , u shpreh Mickoski.
LSDM-ja thotë se Mickoski nuk po realizon njërin prej premtimeve më të mëdha parazgjedhore, atë për rritjen e pagave.
“Kur duhet të rritet paga minimale për punëtorët, qeveria e Mickoskit nuk ka para. Vetëm kur ai, Mickoski dhe ministrat e tij duhet të udhëtojnë, atëherë ka para për luks, dhe për bileta të shtrenjta prej 20 mijë eurosh, dhe për klasa biznesi, për delegacione të shumta… Nuk është se nuk ka para, ka para të mjaftueshme, çështja është te prioritetet. VMRO-DPMNE e nënvlerëson punën e punëtorëve dhe i konsideron ata si fuqi të lirë”, thonë nga LSDM.
Kreu i Lidhjes së Sindikatave Sllobodan Trendafillov ka bërë kërkesë dhe pret të ketë takim me kryeministrin për çështjen e rritjes së pagave. Kërkojnë pagë minimale prej të paktën 450 euro. Sipas tyre, rreth 9 mijë të punësuar marrin rrogë më të ulët se minimalja 23 567 kurse 35 mijë marrin rrogë minimale. / Alsat.mk