Skadoi afati i dytë për komunat që të aplikojnë për ndihmë financiare nga Qeveria

Përfundoi afati për komunat që të aplikojnë për ndihmë të Qeverisë për projekte kapitale. Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti zbardhi se qeveria të martën do të vendosë për projektet e gjithsej 6 komunave të cilat në afatin e parë kishin mangësi te aplikimet.

Marketing

“Me Tearcën është mbyllur krejtësisht procedura për të gjitha projektet që kanë aplikuar sepse është dashur vetëm ta kompletojnë dokumentacionin, diçka që ka munguar. Ka mbetur pjesërisht komuna e Kërçovës dhe krejtësisht komuna e Sarajit, dhe janë komunat Qendra, Qyteti e Strumica”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër i parë.
Komuna e Sarajit në afatin e parë u refuzua për dy projekte. Për të dyja nuk arriti që të aplikojë as në afatin e vazhduar, dhe për këtë fajëson Ministrinë për Ambient Jetësor. Komuna e Sarajit tani ka aplikuar me projekt të ri për Matkën e Poshtme.

“Më 7 nëntor jepet pëlqimi. Kur jepet pëlqimi për planifikim hapësinor duhet të vazhdon procedura që të kompletohet projekti, të jepet leja e ndërtimit. Vonimi i mosdhënies së atij pëlqimi neve na mer kohë dhe nuk mund të arrijmë në kohë të dorëzojmë dhe kompletojmë projektin”, u shpreh Iljas Veseli – U.d Kryetar i Sarajit.
Meqenëse në afatin e parë u refuzua edhe komuna e Strumicës, ata tani përsëri kanë aplikuar për ndërtim të tregut të ri të qytetit.

“Komuna e Strumicës përsëri ka aplikuar për realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore dhe atë me 11 formulare të reja aplikative dhe aplikim të azhuruar shtesë për tregun e ri të qytetit në Strumicë”, thonë nga Komuna e Strumicës.

Alsat tentoi të bie në kontakt edhe me Qytetin e Shkupit edhe me komunën e Tearcës për të pyetur nëse kanë aplikuar përsëri në afatin e vazhduar, megjithatë asnjëra nuk ishte e kapshme. Në shpalljen e parë, gjithsej u nënshkruan 274 projekte me vlerë prej 4,1 miliard denarë./Alsat.mk

Marketing