Për një parcelë që iu mor një banori të Tetovës për hapjen e bulevardit Iliria në vitin 1988 e për të cilën Komuna i kishte paguar pronarit 50 mijë euro, Tetovës deri tani i janë marrë 1.1 milion euro kamatë.
Gjithçka filloi në vitin e largët 88 kur pronari i parcelës kishte paditur Komunën për çmimin e ulët të vlerësimit.
Ndërsa për shkak të neglizhencës së organeve të drejtësisë në Tetovë, kjo lëndë është zvarritur nga 88 deri në vitin 2016, kur edhe përfundimisht ishte sjellë vendimi në favor të pronarit të parcelës.
Kreu i Tetovës Bilall Kasami dyshon se bëhet fjalë për grup të organizuar kriminal. Kjo për faktin se përkundër padive të ngritura ndaj disa personave dhe ankimimit të vendimit në Gjykatën e Apelit në Gostivar, për 11 muaj nuk ka përgjigje.
“Dyshimet fillojnë nga momenti i sjelljes së vendimit nga gjykata themelore e Tetovës në vitin 2016 ku gjykata ka vendos edhe të caktoj vlerën e eksproprijimit prej 3 milion denarë por edhe llogaritjen e kamatës retroaktive që nga momentin i nisjes së këtij procesi, dhe komuna e Tetovës vendos të mos e ankimoj këtë vendim të gjykatës e që pastaj bëhet i plotfuqishëm”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.
Pasojat e mos ankimimit të lëndës në kohë nga ana e komunës së Tetovës, janë zhvatja prej rreth 30 herë më shumë se sa që realisht ka kushtuar vendi, thotë Kasami, i cili ngre dyshimet se, përse lënda nuk është ankimuar më herët as edhe në përmbarues, në fazën e dytë kur edhe bëhet përllogaritja e kamatës.
“Pasojat janë zhvatje klasike e parave të qytetarëve të Tetovës prej më shumë se një milion euro për një vendim eksproprijimi prej 3 milion denarë gjykata konstaton se komuna duhet të paguaj në mënyrë retroaktive kamata që nga viti 88 kur ka nisur procesi e që përmbaruesi i ka llogaritur 61 milion denarë, por edhe në këtë rast dyshojmë se bëhet fjalë për grup të organizuar sepse edhe në rastin e dytë kur përmbaruesi kërkon vendimin e përmbarimit komuna sërish nuk e ka shfrytëzuar të drejtën të ankimoj që të mos bëhet vendimi përfundimtarë”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.
Mos dhënia e përgjigjes nga ana e Gjykatës së Apelit, rrezikojnë shtimin e kamatës edhe për rreth 500 mijë denarë, të cilat pala, pritet t’i tërheq nga llogaria e komunës çdo moment.
Për këtë rast, Komuna e Tetovës ka paditur disa persona të ish përbërjes komunale, ndërsa lënda është paraqitur edhe në prokurorinë për krim të organizuar. /Alsat.mk