Konferenca e përbashkët për media e ministres së Arsimit, Milla Carovska me homologen e saj nga Kosova Arbërie Nagavci nuk shkoi siç pritej. Ndonëse dihej gjuha amtare e Nagavcit, Carovska nuk ishte kujdesur për përkthyes shqip-maqedonisht. Për t’i treguar mediave në gjuhën maqedonase se çfarë po thotë Nagavci, u angazhua një i punësuar në MASH që në fakt, niveli i tij i përkthimit detyroi të paren e arsimit në Kosovë të flet njëherë në shqip e pastaj në gjuhën angleze. Madje edhe kjo ide iu dha nga gazetarja e televizionit Alsat.
AN: Sikurse e përmendi edhe ministrja, biseduam për tema konkrete dhe mundësi të bashkëpunimit.
AN: Për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimi, arsimit.
Gazetarja: Më falni që ju ndërpres por kështu neve nuk do të kemi pjesë tonike të mirë. Le të flet si fillim në shqip, pastaj në anglisht që të mund ju ta përktheni.
Një skandal i tillë protokollar kishte ndodhur edhe më 23 qershor, gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të Forumit Ekonomik në Shkup. I pari i Qeverisë shqiptare u ankua se përkthyesi nuk është i nivelit të duhur.
“Përkthyesi nuk është i mirë. As në maqedonisht dhe as në shqip”.
Në vizitën e radhës, Rama erdhi në Shkup me shpresën që përkthyesi nuk do t’ia humbte kuptimin e mesazheve të tij.
“Shpresoj që këtë herë përkthyesi të mos jetë si herën tjetër Zoran që ma shkatërroi tërë mesazhin”.
Deri tani Ministria e Arsimit nuk ka një qëndrim zyrtar për skandalin me mungesën e përkthimit. Sipas protokolleve zyrtare, gjatë vizitës së zyrtarëve institucioni nikoqir obligohet të siguron përkthyes në gjuhën e vizitorit dhe gjuhën amtare të nikoqirit. Alsat