Skandal në Universitetin e Tetovës: Punonjësi dyshohet se përvetësoi mbi 3,3 milionë denarë
Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal kundër një punonjësi të Universitetit Shtetëror të Tetovës, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas kallëzimit, gjatë periudhës nga marsi i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2023, punonjësi nuk i ka deponuar mjetet financiare që i pranonte në para të gatshme nga studentët për participime dhe shpenzime të tjera, por dyshohet se i ka përvetësuar ato.
Ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 3.362.272 denarë. Për t’i fshehur veprimet, dyshohet se ka përpiluar vërtetime të falsifikuara për pagesa përmes sistemit “E-pay”, të cilat studentët i përdornin si dëshmi për shlyerjen e detyrimeve.
Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal për veprat “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “falsifikim dokumenti”.
