Skandali financiar, Prokuroria nis hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci

Prokuroria ka filluar hetimet në rastin e Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci Martin Berishaj .
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Marketing

“Ju njoftojmë se rasti për të cilin keni parashtruar pyetje është në hetime”,tha ajo.

Berishaj ishte përfshirë në një skandal të madh në Slloveni, ku në bazë të raportimeve të para rreth 600 mijë euro para cash ishin bartur nga Mali Zi për në Slloveni nga Berishaj dhe se ky i fundit kishte rol aktiv në këtë skandal.

Por jo vetëm kaq. Martin Berishaj dyshohej edhe për fshehjen e raportimit të së paku dy bizneseve.

Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë e ka kryer hetimin e saj administrativ dhe ka kuptuar që ky rast duhet të vazhdojë nga Prokuroria e Shtetit.

“Rasti me të gjitha dokumentacionin përcjellës 05.08.2022 me Kallëzim penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhej asokohe nga AKK.

Ndryshe rasti i publikuar në lidhje me 600 mijë eurot e ambasadorit Berishaj është komentuar shumë. Lidhur me këtë ishin deklaruar edhe krerët e shtetit, të cilët thonin se me këtë çështje duhet të merren organet e hetuesisë dhe se pa pasur konfirmim nga këto institucione ai nuk mund të shkarkohet.

“Zëdhënësi ynë e ka dhënë qëndrimin dhe po ashtu ambasadori Berishaj e ka bërë një deklaratë me të cilën tregon që ato janë të pavërteta dhe se do ta padisë mediumin i cili ka shpifur asisoj”, pati deklaruar shkurt kryeministri Albin Kurti.

“Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”, pati shtuar ai.

Si fillim raportimi për skandalin e Martin Berishajt ishte bërë nga mediumi slloven , “Planet TV”,ku u raportua për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, të cilën e titulluan si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë privat “MB Consulting” në Mal të Zi, kompani kjo e Berishajt e që supozohet të ketë marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto paranë një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
E lidhur me gjithë këtë presidentja Vjosa Osmani, pati deklaruar se kjo thjesht është shkruar në media.

“Sa i përket pyetjes që në fakt nuk ishte pyetje por konstatim, është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Kosovës por që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht ësht shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo para gazetarëve.

Presidentja Osmani tutje u shpreh se për demokracinë përveç tankeve janë të rrezikshme edhe dezinformatat duke e cituar presidentin amerikan Joe Biden.

“Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua”, tha ajo.

Pas këtij publikimi partitë opozitare në vend patën kërkuar shkarkimin e ambasadorit Berishaj, por kjo gjë nuk është bërë.