Skandali i Ministrisë së Kulturës, për shqiptarët vetëm 16.8 për qind nga ndarja e buxhetit

Skandali pas publikimit të rezultateve nga konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për vitin 2021 sipas veprimtarisë dhe sferave nga ana e Ministrisë së Kulturës sa vjen e zgjerohet ndërsa kjo ka shkaktuar reagime të shumta tek pala shqiptare tepër e pakënaqur me refuzimin e shumë projekteve në ndërkohë që kjo ndarje e buxhetit është vetëm 16.8 për qind që është shumë larg asaj që duhej në fakt të ishte.

Marketing

Sipas një Kumtese nga Ministria e Kulturës në vitin 2021 thuhet se ata mbështetën projekte të cilat janë në funksion të zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të kulturës, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të vendit tonë dhe të gjitha ato me projekte të plotësuara nga të rinjtë për të rinjtë. Posaçërisht vëmendje e veçant i është kushtuar barazisë gjinore, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe dialogut ndërkulturor. Por realiteti është krejtësisht ndryshe përcjellë TetovaSot.

Derisa sipas Ministrisë së Kulturës vlerësimi i projekteve dhe programeve u krye nga ana e komisioneve të përbëra nga ekspertë dhe persona kompetentë në sferën përkatëse, duke respektuar parimet e multietnicitetit dhe parandalimi i konfliktit të interesit, ndarja e 16.8 për qind e këtij buxheti për shqiptarët e demanton këtë duke shkaktuar shumë reagime të shumta për shkak se shoqata të mirëfillta kanë marrë më pak financa se sa shoqatat ” fantom” të krijuara brenda natës.

Që ky skandal të bëhet akoma më i madh ka të bëjë me një fakt tjetër përjashtues nga ana e vet kreut të kësaj Ministrie e cila sipas burimeve të TetovaSot ajo nuk është konsultuar fare as me njeriun e dytë të Ministrisë dhe as me Sekretarin Shtetërorë që janë shqiptarë.

Burimet të TetovaSot konfirmojnë se do ketë një reagim kundër këtij diskriminimi dhe do kërkohet llogari nga vetë ministrja e Kulturës Irena Stefoska.

Të përkujtojmë se për këtë çështje reagoi edhe Departamenti i Kulturës i Aleancës për Shqiptarët i cili ka kërkuar të shpallet i pavlefshëm programi vjetor i Ministrisë së Kulturës, pasi që ka shumë anomali.

“Kjo ndarje e buxhetit është skandaloze, kërkojmë nga Ministria e Kulturës që programin vjetor ta shpall të pavlefshëm, ndërkaq anëtarët e komisionit të zgjidhen nga shoqëria civile, të mos jenë të ngjyrosur politikisht dhe të mos ketë kuantitet, por kualitet”, tha Elmir Sejfullai nga Aleanca për Shqiptarët.