Skandali i radhës i Qeverisë, kompania e djalit të këshilltares së Zaevit fitoi 330 mijë euro nga Fondi për Inovacione

Një skandal tjetër ka përfshirë Qeverinë e Maqedonisë lidhur me ndarjen e parave shtetërore nga Fondi për Inovacione.

Marketing

Bëhet fjalë për kompaninë “Dekodiks” nga Shkupi, e cila është në pronësi të nuses së djalit të këshilltares së kryeministrit Zoran Zaev për çështje të kulturës, Cvetanka Llaskova, e cila gjithashtu është kryetare e forumit të grave të LSDM, informon INA.

Ajo që është më skandaloze, kjo kompani është themeluar më 18 maj të këtij viti, duke mos pasur asnjë aktivitet dhe portfolio në sferën e biznesit apo teknologjisë dhe pas 43 ditëve kontoja e saj pasurohet me 330 mijë euro apo 20 milionë denarë për projektin e quajtur “Më dekodo..”.

Në këtë rast kemi konflikt interesi pasi që bëhet fjalë për lidhje të ngushta familjare.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Meri Nikollova ka denoncuar ashpër këtë rast duke shkruar në facebook për skandalet e tilla të kësaj Qeverie.

“Si nuk keni turp, njerëzit u sakrifikuan për partinë, financuan për shumë aktivitete nga xhepi i tyre, dhe shumica prej tyre janë harruar, ndërsa ju me nga 5 funksione shkoni dhe përfitoni nga 150 mijë e mbi 300 mijë euro, përmes granteve të fituara brenda natës. Njerëzit po vuajnë nga varfëria dhe përmbaruesit, duke mos pasur kulm mbi kokë, ju keni nisur me luksin. Ose ne jemi budallenjë, ose ju jeni shumë të mençur dhe harruat se kush ju solli në pushtet” , shkruan Nikollova. (INA)

Marketing