Në një lëvizje që mund të nxit debat në skenën politike, deputetët e koalicionit opozitar VLEN pritet të dorëzojnë gjatë ditëve në vijim një iniciativë në Kuvend, atë të krijimit të një komisioni anketues parlamentar për të hetuar skandalin e furnizimit me mazut kancerogjen. Burime nga koalicioni VLEN bëjnë të ditur se ky komision synon jo vetëm mbajtjen e një debati të thelluar mbikëqyrës, por edhe zbardhjen e të gjithë zinxhirit të përgjegjësisë në këtë skemë shumëplanëshe që ka goditur jo vetëm financat publike dhe buxhetin e shtetit, por edhe shëndetin e qytetarëve. Afera me mazutin e dëmshëm, e cila ka përfshirë të paktën 13 persona – mes tyre dy biznesmenë të fuqishëm në tregun e naftës dhe ish-zyrtarë të lartë të EVM-së – dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej mbi 167 milionë eurosh. Por pas numrave qëndron një akuzë shumë më e rëndë: ata kanë helmuar me vetëdije mjedisin jetësor të qytetarëve. Në qendër të hetimit janë Ratko Kapushevski dhe Erdxhan Sulkoski, pronarë të kompanisë RKM, si dhe Adrian Muça, ish-drejtor komercial i EVM-së, kuadër i BDI-së. Arrestimi i tyre është urdhëruar nga Gjykata Penale e Shkupit për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët. Ndërkohë, ish-drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski, është në arrati dhe akuzohet gjithashtu për një tjetër rast paralel, aferën “Aditiv”. Një tjetër emër që tronditi opinionin publik është ai i Asmir Jahoskit, pronar i Pucko Petrol dhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski. Fillimisht i vendosur në arrest shtëpiak, Jahoski u rikthye në paraburgim pas reagimeve të fuqishme publike dhe institucionalizimit të presionit mbi vendimin e gjykatës. Ai dyshohet për pastrim të 1.1 milion eurove në këtë skemë të errët. Me krijimin e mundshëm të komisionit hetimor parlamentar, reflektorët po drejtohen mbi hijet e korrupsionit nga ky rast. Mbetet të shihet nëse ky komision do jetë një pikë kthese për transparencën institucionale, apo vetëm një rrugë pa krye në kërkimin e përgjegjësisë. /Alsat.mk
