Skandali në Onkologji, Komisioni Anketues mbajti seancën e parë

Në seancën e parë, anëtarët e komisionit miratuan rregulloren e punës. Kryetarja e komisionit, Rashella Mizrahi, tha se s’do të lejojë që komisioni të shndërrohet në organ që do t’i paraprijë gjyqësorit, por synim do të ketë llogaridhënien.

Marketing

“Ne jemi deputetë të cilët do të kërkojmë përgjegjësi politike për skandalin në Onkologji. Kërkojmë përgjegjësi politike dhe kjo është objektive. Nga të dhënat e Komisionit Anketues mund të dalin konkluza, të cilat mund të kenë bazë për nisjen e procedurës për vërtetimin e përgjegjësisë tek bartësit e funksioneve. Shpresoj se ky do të jetë komisioni i parë anketues, që do të përfundojë detyrën për të cilën është formuar; do të vërtetojë fakte dhe propozojë zgjidhje.”, – deklaroi kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi.

Të parët që do të ftohen në bisedë për pjesëmarrje në seancat e radhës do të jenë ish-ministra të Shëndetësisë. Anëtarët janë dakorduar që seanca e radhës të mbahet të martën, por nëse jepet nevoja, ata do të mblidhen çdo ditë.

“Gjithsesi si parti politike do të japim mbështetje dhe presim që të gjitha partitë politike të mos bëjnë keqpërdorime dhe mos të shohim që çdo parti politike të fitojë pikë politike, pasi që bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve dhe do të ishte mirë që të gjithë së bashku të kontribuojmë që të identifikohen fajtorët.”, – theksoi deputeti i BDI-së, Arben Zyberi.

“Cilido që ka marrë guximin të keqpërdorë besimin dhe paratë me të cilat është siguruar kjo terapi, atëherë duhet qartë të thuhet në opinion se kush e ka bërë këtë.”, – u shpreh deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq.

Sipas dyshimeve të ngritura, terapia biologjike për të sëmurët me kancer është shitur në tregun e zi duke i lënë pacientët në Klinikën e Onkologjisë të trajtohen me tretje fiziologjike.