Skandaloze: Lojtari që i shënoi Kosovës ishte pozitiv me koronavirus, pritet vendimi i UEFA-së

Golashënuesi i Moldavisë në takimin ndaj Kosovës, Ion Nicolaescu, ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit të bërë pas ndeshjes.

Marketing

Lajmi është konfirmuar nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë në pritje të vendimit nga UEFA.

Kosova e nisi të enjten mbrëma kampanjën kualifikuese të edicionit të dytë në Ligën e Kombeve.

Dardanët barazuan me rezultat 1-1 në udhëtim te Moldavia në ndeshjen e zhvilluar në Ennio Tardini në Parma të Italisë.

Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Ion Nicolaescu për moldavët, ndërsa për Kosovën shënoi Benjamin Kololli.

Megjithatë, shënuesi i Moldavisë, Nicolaescu ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në testin e bërë pas ndeshjes.

Lajmi është konfirmuar nga i pari i FFK-së, Agim Ademi, i cili në një prononcim ka zbuluar se janë në kontakt me UEFA-n dhe janë në pritje të vendimit për epilogun e takimit.

“Po sapo na erdhi informacioni nga UEFA se sulmuesi i Moldavisë i cili ka shënuar gol ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në testin e bërë pas ndeshjes”, ka thënë fillimisht Ademi.

“Vlen të ceket se ai para ndeshjes e ka pasur testin negativ dhe atë dëshmi e ka lojtari dhe UEFA”.“Tani jemi në kontakt me UEFA-n dhe vendimi i epilogut të ndeshjes i takon atyre”.

“Jemi duke jetuar në një gjendje të jashtëzakonshme dhe nuk kemi informata të shumta rreth kësaj çështje”.“Ne do ta pranojmë dhe respektojmë çdo vendim të UEFA”, përfundoi i pari i FFK-së.