Skandaloze, nxënësit e Prishtinës e dinë më mirë anglishten sesa shqipen

Nxënësit në Prishtinë po arrijnë rezultate më të mira në gjuhët e huaja sesa në gjuhën shqipe.

Marketing

Nxënësit në kryeqytet po tregojnë rezultate më të mira në gjuhët e huaja sesa në gjuhën shqipe. Madje, prej niveleve më të uleta e deri në klasat e XII, shkruan lajmi.net.

Statistikat e hartuara nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës tregojnë se në vitin shkollor 2018 -2019, ka pasur një ngritje të lehtë në arsimin parauniversitar tek niveli prej klasës I deri në IX, ndërsa rënie të nivelit nga klasat e X deri në XII.

Dokumentin e hartuar nga Komuna e Prishtinës të cilin e ka parë lajmi.net, i cili quhet “Raporti statistikor i nxënësve të arritur në tre nivelet e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2018 /2019” tregon për nivelin e arsimit në Prishtinë.

Në vitin shkollor 2018/2019, në nivelin e mesëm të lartë (X‐XII) e kanë vijuar mësimin gjithsej 9494. Suksesi i nxënësve të këtij niveli shënon një rezultat duke u përfshi këto institucione me notë mesatare 3.37, ndërsa nga 9494 nxënës, gjithsej prej tyre 2095 të shkëlqyer, 2218 shumë mirë, 2820 mirë dhe me sukses të mjaftueshëm 2020. Me notë negative kanë qenë 198 nxënës ndërsa të pa notuar 143 nxënës. Nga krahasimet e notës mesatare të vitit shkollor 2018/2019, e cila shënon 3.37 në proporcion me vitin paraprak 2017/2018, e cila është 3.51 rezulton se ka një rënie të lehtë në diferencë prej ‐0.14.

Në këtë nivel nota mesatare ka qenë më e madhja në klasat e XII, 3.49, në të XI, 3.42 dhe në të X, 3.20.

Suksesi lëndor i nxënësve të arritur në nivelit e mesëm të lartë (X‐XII) është si në vijim: Gjuhë Shqipe 3.35, Gjuhë Angleze 3.51, Gjuhë Gjermane 3.58, Gjuhë Frënge 3.44, Gjuhë Latine 4.17, Histori 3.55, Edukatë Qytetare 3.26, Biologji 3.55, Fizikë 3.24, Edukatë Fizike dhe Sportive 4.37, Teknologji 3.56, Matematikë 2.91, Gjeografi 3.65, Art Figurativ 3.57, Kimi 3.34, Sociologji 3.88, Filozofi 3.96, Logjikë 3.76, Astronomi 3.77, Psikologji 3.59, Ekonomi 3.00, Edukatë Muzikore 4.26

Me anglishten mirë e me shqip më keq edhe niveli I‐V

Sipas dokumentit të komunës, procesi arsimor në nivelin fillor I-V zhvillohet në 46 shkolla fillore ku procesin e mësimit për vitin shkollor 2018/2019 e kanë vijuar gjithsej 30213, në gjithsej 1254 paralele. Në krahasimet e notës mesatare të vitit shkollor 2018/2019, e cila shënon 4.67 në proporcion me vitin paraprak 2017/2018, e cila është 4.26 rezulton se ka një rritje simbolike në diferencë prej 0.41. Nota mesatare për çdo klasë është si në vijim: Klasa e I‐rë shënon 4.84, Klasa e II‐të shënon 4.72, Klasa e III‐të shënon 4.68, Klasa e IV‐të shënon 4.58, Klasa e V‐të shënon 4.54.

Shkolla “Ismail Qemaili” dhe shkolla “Hasan Prishtina” kanë notën mesatare më të madhe me 4.91, ndërsa notën mesatare më të ulët e kanë shkollat “Azemi e Salihu”me 4.06 dhe “Ali Kelmendi” 4.20

Ndërkohë, sipas statistikave të raportit, për nivelin e arsimit (I‐V) mesatarja e notave në lëndët shkollore është kjo: Gjuhë Shqipe 4.5, Gjuhë Angleze 4.51, Histori 4.41, Edukatë Qytetare 4.58, Edukatë Fizike dhe Sportive 4.91, Matematikë 4.42, Art Figurativ 4.81, Punë Dore 4.72, Njeriu dhe Natyra 4.51, Edukatë Muzikore 4.80

Nota të mira në gjuhët e huaja edhe në nivelin VI-IX

Procesi edukativo‐arsimor në nivelin fillor (VI‐IX) kanë vijuar gjithsej 13043 nxënës. Suksesi i nxënësve të këtij niveli rezulton 3.92, ndërsa nga 13043 nxënës gjithsej prej tyre 5197 të shkëlqyer, 3172 shumë mirë, 3114 mirë dhe me sukses të mjaftueshëm 1535. Me notë negative 11 nxënës dhe të pa notuar 14 nxënës. Nga krahasimet e notës mesatare të vitit shkollor 2018/2019, e cila shënon 3.92 në proporcion me vitin paraprak 2017/2018, e cila është 3.65 rezulton se ka një rritje në diferencë prej 0.27.

Nota mesatare për çdo klasë është: Klasa e VI‐të shënon 4.00, Klasa e VII‐të shënon 3.78, Klasa e VIII‐të shënon 3.88, Klasa e IX‐të shënon 4.01.

Ndërkohë, sipas statistikave në lëndët mësimore në këtë nivel prin edukata fizike me notën mesatare më të lartë, gjuha anglezë është në përqindje më të lartë se ajo shqipe edhe në këtë nivel shkollor. Madje, edhe gjuha gjermane dhe ajo frënge janë në nivel më të lartë sipas përqindjeve të nxjerra nga komuna. Përqindja e notës mesatare është si vijon: Gjuhë Shqipe 3.76, Gjuhë Angleze 3.90, Gjuhë Gjermane 3.85, Gjuhë Frënge 4.05, Histori 3.73, Edukatë Qytetare 3.93, Biologji 3.68, Fizikë 3.49, Edukatë Fizike dhe Sportive 4.59, Teknologji 4.03, Matematikë 3.46, Gjeografi 3.75, Art Figurativ 4.22, Kimi 3.54, Edukatë Muzikore 4.09

Nota mesatare më të mira në shkollat private se në ato publike

Duke u bazuar në shënimet e procesuara nga institucionet shkollore private në Komunën e Prishtinës në nivelin e arsimit fillor (I‐IX) gjithsej zhvillojnë aktivitetin edukativo-arsimor nëntë (IX) institucione. Nxënësit e nivelit (I‐V) në institucione private kanë vijuar 1403 nxënës.

Nëse në shkollat publike në këtë nivel nota mesatare ka qenë 4.67, në këto nëntë shkolla private ka dal të jetë 4.93.

Në nivelin e arsimit të mesëm të ulët (VI‐IX) në institucione private në vitin shkollor 2018/2019, kanë vijuar 912 nxënës. Suksesi i nxënësve në këtë nivel ka shënuar një mesatare prej 4.29, derisa në shkollat publike ka qenë 3.92.

Në nivelin e arsimit të mesëm të lartë (X‐XII) procesin arsimor e kanë vijuar 1595 nxënës. Nota mesatare shënon 3.63, derisa në shkollat publike ajo ishte 3.37.

Raportet ndërkombëtare tregojnë se arsimi në Kosovë është në gjendje të keqe.

Rezultatet e PISA-s 2018, e vendosën Kosovën në vendin e njëjtë sikur të ato të 2015. Veç dy vende janë më keq se Kosova, por dallimi është që në vitin 2015 ishin 72 vende pjesëmarrëse e tash 79.