Ish shefi i kabinetit të Kryetarit të komunës në Gostivar, Bashkim Hasani përmes një statisi në Fejsbuk ka akuzuar Kryetarin aktual, Arben Taravari për maltretim dhe hakmarrje politike, duke i mbajtur në zyra të paklimatizuara dhe pa kushte elementare disa nga administratorët e diferencuar politikisht.
“Arben Taravari, uroj të jesh mirë me shëndet dhe të kaloni mirë dhe freskët në pushimin tuaj gati një mujor rreth Adriatikut. Kam një pyetje pa dashur të ta prishë rehatinë e pushimit. Në këtë rast, të pyes edhe si mjek.
Të qëndrohet në hapësira me temperaturë 37 gradë, a është e dëmshme për shëndetin e njeriut, ose jo ? Ndoshta e bënë pa ndonjë qëllim, por nëse vepron me vetëdije, dije që nuk do t’ia arrishë qëllimit, do të kthehet bumerang pa dëshirën tonë, por me vullnetin e natyrës.
Nëse kjo situatë të kënaq dhe nuk ta prishë rehatinë, ne për rahatinë tënde jemi të përgatitur të përballojmë edhe 40 gradë. Të shkruaj nga hapësirat e NP Komunalec, ku bashkë me disa administratorë të “padëshiruar”, politikisht nga ana jote, qëndrojmë tani e dy vite”, shprehet Hasani, i cili bën të ditur që Taravari aktualisht ndodhet për pushime në bregdetin Adriatik.
Por befasuese ka qenë përgjigja e Taravarit po në Fejsbuk.
“Çdo të mbjellësh, do të korrësh! Një e moçme por gjithmonë trendy”, shkruan Taravari duke lejuar që të kuptohet se po bën presion, revanshizëm, diferencim dhe hakmarrje politike.
BDI, dega në Gostivar, disa here ka denoncuar Taravarin që po hakmerret politikisht me të punësuarit në komunë dhe institucionet e tjera në varrësi të pushtetit lokal në Gostivar.