Mundet që marrëdhëniet midis Greqisë e Shqipërisë të jenë tensionuar ditët e fundit. Por figura e Skënderbeut ka mbledhur në Athinë grekë e shqiptarë, për të eksploruar e parë gravura e libra që lidhen me veprën madhore të heroit tonë kombëtar.
Ishte një veprimtari mjaft cilësore, e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë, në bashkëpunim me bibliotekën Gennadius, një nga institucionet emblematike në Greqi.
Të pranishëm, bashkatdhetarë emigrantë, miq grekë të Shqipërisë, studiues, përfaqësues të artit e të kulturës helene, por edhe të trupit diplomatik të akredituar në Greqi.
Gjatë veprimtarisë u prezantua libri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra”, i studiueses Maki Paizi Apostolou, botuar këtë vit në Greqi.
Drejtori i Muzet Historik Kombëtar, Dorian Koçi, mbajti kumtesën “Skënderbeu dhe Europa”.
Përshëndeti ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, Ardiana Hobdari.
Të pranishmit vizituan ekspozitën e hapur në sallën e studimit të Bibliotekës.
Aty do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 30 nëntor, hartat e vjetra të koleksionistit grek Jorgos Kolomihalis, libra të shekullit të 15-të nga koleksionistja angleze dhe mike e Shqipërisë, Patricia Nogee (Patrisia Nuzh), si dhe libra, gravura e kartëpostale, pjesë e koleksionit të Bibliotekës Genneadus./oranews