Skepticizëm për pranimin e Kosovës në Interpol

Kosova të martën pritët të sfidohet sërish për anëtarësim në organizatën policore ndërkombëtare, Interpol, por përkundër aplikimit, njohësit e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen skeptik se vendi ynë mund të pranohet edhe kësaj radhe në këtë organizatë multilaterale policore.

Marketing

Edhe pse vitin e kaluar Kosova dështoi, dhe disa vite më parë nuk aplikoi, përgatitjet lobuese për këtë vit po konsiderohen që janë bërë pak dhe gabueshëm. Ndërkohë, nga dikasteri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk dhanë përgjigje për KosovaPress-it se cilat janë pritjet e Kosovës për këtë vit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se momentet më të duhura për lobim, Kosovën e gjetën në zgjedhje të parakohshme. Kjo sipas tij, ka humbur interesimin e institucioneve që të lobojnë në mënyrën e duhur dhe vazhdimësi.

Nga ana tjetër, sipas Ibishit, fushata agresive e Serbisë dhe vendi ku do të mbahet asambleja e Interpolit në Amerikën Jugore, nuk krijojnë një ambient shpresëdhënës për Kosovën.

“Nuk është lobuar në mënyrën e duhur, në kuptim të asaj se jo vetëm që u gjetëm në fazën e fushatës për zgjedhjet e legjislaturës së shtatë. Por realisht Ministria e Punëve të Jashtme në radhë të parë, por edhe Ministria e Punëve të Brendshme, gjerësisht Qeveria e Kosovës kanë bërë shumë pak, që të kontribuojnë që ne të pranohemi. Në anën tjetër, jemi në një situatë që Serbia në vazhdimësi ka lobuar dhe lobon kundër pranimit tonë. Dhe një situatë kur në Amerikën Jugore janë shumë shtete që realisht neve nuk na kanë pranuar si shtet, dhe janë kundër pranimit tonë. Nuk kemi një ambient shumë shpresëdhënës”, thotë Ibishi.

Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Artan Murati, thotë se Kosova duhej të ishte më e kujdesshme në aplikim, pasi sipas tij, një refuzim potencial do të ndikonte negativisht me raportet me shtetet që janë anëtare dhe votojnë kundër.

“Ne në vazhdimësi ne po bëjmë hapa të ngutshëm për të aplikuar pa e pa terrenin dhe deponimin e shteteve anëtarë dhe shteteve që do të votojnë. Konsideroj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me manovrat. Një refuzim potencial do të ndikonte negativisht me raportet me shtetet që janë anëtare dhe votojnë kundër”, deklaron Murati.

Edhe pse fillimisht zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi e kishte konfirmuar deklarimin për pritjet e tyre për anëtarësim në Interpol, ajo më pas nuk ishte e qasshme.

Në ditët kur po afrohet asambleja e Interpolit në Kili të Amerikës Jugore, ka marrë hovin fushata lobuese e Serbisë kundër Kosovës. Ministri i tyre i brendshëm, por dhe ai i Punëve të Jashtme, thanë se do të bëjnë luftë të ashpër që Kosova mos të jetë pjesë e kësaj organizate policore.

Ndryshe, për t’u pranuar Kosovës i duhet vota e dy të tretave të shteteve anëtare, apo nga 194 vende, duhet të sigurohen mbi 120 vota