Skrining për deputetët dhe punonjësit e institucionit ligjvënës

Testohen për Kovid-19 kryetari i Kuvendit, sekretarja dhe një pjesë e administratës së ligjvënësit. Burime nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe sekretarja e përgjithshme Cvetanka Ivanova kanë rezultuar negativ. Për të tjerët priten rezultatet. Përbërja parlamentare aktualisht numëron tre deputetë të infektuar, Monika Zajkova nga PLD-ja dhe dy deputet të LSDM-së, Mile Taleski dhe Sllavjanka Petkrovska. Kjo ka ndikuar edhe në punën e Kuvendit, aq më tepër kur tre deputetë të tjerë ndodhen jashtë vendi, dikush për çështje pritave e dikush për çështje shëndetësore.

Marketing

Me 6 deputetë më pak, shumica parlamentare tashmë që nga fillimi përballet me mungesë kuorumi dhe pengesa në punë. Disa herë është hapur çështja për punën e Kuvendit nga distanca, por opozita nuk është pajtuar me një propozim të tillë, duke u thirrur në Rregulloren e Kuvendit e cila thotë se seancat plenare janë publike dhe mbahen në sallën plenare.

Në koordinime është hapur çështja që deputetët të cilët ndodhen në izolim të mund të prononcohen përmes formës elektronike, por deri tani një gjë e tillë nuk është realizuar. Në fillim të punës së Kuvendit, deputet të cilët ndodheshin në izolim votonin në kabina të veçanta dhe të ndarë nga pjesa tjetër e deputetëve.

Për shkak të protokolleve anti-kovid, Kuvendi nuk ka zhvilluar asnjë seancë në sallën plenare. Seancat mbahen në sallën e madhe në të cilën janë përshtatur kushtet, ndërsa në Komisione është kufizuar vetëm pjesëmarrja e anëtarëve të trupave, me qëllim të shmangies së kontakteve dhe grumbullimeve të cilat rrezikojnë shëndetin e përgjithshëm. Është kufizuar edhe prezenca e mediave, përkatësisht ndjekja e mbledhjeve të Komisioneve dhe seancave plenare për shkak të mungesës së kushteve adekuate brenda hapësirave të Kuvendit.

Marketing