Filozofi me famë botërore, Sllavoj Zhizhek, në një artikull me titull “E majta” dhe kurdët, bën një paralele midis problemit kurd, përkrahjes dhe tradhtisë amerikane me problemin maqedonas dhe përkrahjes dhe tradhtisë franceze, transmeton Almakos.
“ Disa muaj më parë, diskutimi sillej rreth zgjidhjes së problemit të emrit “Maqedoni”. Zgjidhja e propozuar ishte ndryshimi i emrit në “Maqedonia e Veriut”, por kjo zgjidhje u sulmua menjëherë nga radikalët e të dyja vendeve. Kundërshtarët grekë këmbëngulnin se “Maqedonia” është një emër i vjetër grek, kurse kundërshtarët maqedonas u ndjenë të poshtëruar se po reduktoheshin në një provincë “Veriore” pasi ata janë njerëzit e vetëm që e quajnë veten “maqedonas”. Kjo zgjidhje, edhe pse e papërsosur, përmbylli një luftë të gjatë dhe të pakuptimtë me një kompromis të arsyeshëm. Por ajo u përball me një “kundërshtim” tjetër: lufta midis fuqive të mëdha (SHBA dhe BE nga njëra anë, Rusia nga ana tjetër).
Perëndimi u bëri presion të dyja palëve që ta pranonin kompromisin në mënyrë që Maqedonia të mund të anëtarësohej më shpejt në BE dhe NATO, ndërsa, pikërisht për të njëjtën arsye (duke parë te kompromisi rrezikun e humbjes së ndikimit të saj në Ballkan), Rusia e kundërshtoi atë, duke mbështetur forcat e tërbuara nacionaliste konservatore në të dyja vendet. Pra, anën e kujt duhet të marrim në këtë rast? Unë mendoj se duhet të marrim me vendosmëri anën e kompromisit, për arsyen e thjeshtë se është zgjidhja e vetme realiste e problemit – Rusia e kundërshtoi atë thjesht për shkak të interesave të saj gjeopolitike, pa ofruar një zgjidhje tjetër, kështu që përkrahja e Rusisë këtu do të thoshte të sakrifikonim zgjidhjen e arsyeshme të të vetmit problem të marrëdhënieve maqedonaso-greke për hir të interesave gjeopolitike ndërkombëtare. (Tani që Franca ka vendosur veton për përfshirjen e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE, a do të jenë ata përgjegjës për një katastrofë të paparashikueshme në atë pjesë të Ballkanit?)”, shkruan Zhizhek.