Sllovaki, për herë të parë zgjidhet një presidente femër

Avokatja liberale dhe kritike e Qeverisë, Zuzana Çaputova ka mposhtur kundërkandidatin e saj me një diferencë të thellë, për t’u bërë presidentja e parë grua e Sllovakisë.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Çaputova ka fituar 58.4 për qind të votave në raundin e balotazhit.

Marketing

Kundërkandidati i saj, Marosh Sefçoviç, një kandidat i pavarur por që ka gëzuar mbështetjen e partisë në pushtet, Partia Social-Demokrate, ka fituar 41.6 për qind të votave. Sefçoviç, nënkryetar i Komisionit Europian dhe ish-anëtar i Partisë Komuniste, pranoi humbjen pak para mesnatës së 30 marsit.

Ai konsiderohet gjithashtu si proeuropian, por gjatë fushatës kishte thënë se Sllovakia duhet të mbajë për vete disa kompetenca vendimmarrëse.
Çaputova kishte fituar raundin e parë të votimeve, që u mbajtën dy javë më parë, duke arritur të marrë 40 për qind të votave. Sefçoviç, në këtë raund kishte fituar mbi 18 për qind të votave.

Korrupsioni dhe ndryshimi kanë qenë temat kryesore para raundit të balotazhit, i cili është mbajtur një vit pasi gazetari Jan Kuçiak, i cili kishte hetuar për rastet e mashtrimit të zyrtarëve të lartë, dhe e fejuara e tij ishin vrarë në shtëpinë e tij.

Pesë persona janë akuzuar për vrasjen e Kuçiak dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova. Vrasja e tyre kishte nxitur protestat më të mëdha në historinë postkomuniste të Sllovakisë. Çaputova ka bërë fushatë që t’i jepet fund asaj që ajo e ka quajtur “kapje të shtetit”.

Presidenti në Sllovaki nuk ka shumë fuqi, por emëron kryeministrat dhe mund të vendosë veton ndaj emërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.