Në Gjykatën Penale të Shkupit sot vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Monstra”. Gjatë kësaj seance pritet të lexohen SMS porosi të tjera lidhur me këtë rast që ndodhi në prill të 2012, kur katër të rinj dhe peshkatar maqedonas u vranë afër liqenit të Smilkovës në periferi të Shkupit.
Procesi tashmë gjendet në procedure e dëgjimit të materialeve dëshmuese si SMS porosi dhe transkripte të tjera, të propozuara si dëshmi plotësuese nga Prokuroria.
Procesi gjyqësor po udhëhiqet nga gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të Prokurorisë janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski/
Rasti “Monstra” ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës, të kryer më 12 prill të vitit 2012, ku u vranë të rinjtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, ndërsa në procedurë të parë u dënuan me burg të përjetshëm Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Ezim dhe Haki Aziri, dhe Sami Luta. Gjykata supreme në dhjetor të vitit të kaluar tërhoqi aktvendimet dhe liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masë kujdesi. Për gjykatën ende janë të pakapshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, për të cilët janë shpallur fletë-arreste ndërkombëtare.