Deputeti i Koalicionit VLEN, Halil Snopçe, në një intervistë për MCN-TV, ka deklaruar se emëruesi i përbashkët i aksidenteve me Besa Transin, spitalin modular dhe rasti i fundit në Koçan, është paaftësia në menaxhim, korrupsioni i nivelit të lartë dhe mosfunksionimi i sistemit.
Në të kaluarën, siç tha Snopçe, jemi marrë me imazhin. Derisa shtoi se neve na duhet një riparim të sistemit.
“Në një shtet ku mbizotëron korrupsioni, instancat janë inekzistente. Nëse instancat janë inekzistente ato nuk kontribuojnë në interesin publik. Përgjegjësinë kryesore për tragjedinë e ka sistemi i trashëguar korruptues nga ish-pushtetet, por nuk mund të amnistohen edhe përgjegjësit të pushtetit aktual të cilët kanë pas obligim të ndërmarrin masa aq sa kanë mundur dhe jo vetëm të konstatojnë. Ne konstatojmë pa mos ndërmarrë hapa konkret. Si pasojë shembet edhe gjithë sistemi dhe kemi tragjedi të këtyre përmasave. Faktori njeri është faktori kryesor. Në Kroaci kishte një raport ku thuhet se gjasat janë minimale që atje të ndodh fatkeqësi të kësaj natyre. Pse? Sepse atje janë ndërmarrë masat e nevojshme nga ana e sistemit. Pra, sistemi është funksional. Nëse në zinxhirin e vendimmarrjes vijnë njerëz të korruptuar, atëherë humbim të gjithë dhe na ndodhin raste të tilla”, tha Snopçe.
Sipas Snopçes, tani mbetet vetëm me hapa të vendosur, pa kalkulime të meren masat e nevojshme për të hetuar rastin.
“Vetëm me një hetim transparent dhe objektiv mund ta zbusim mllefin e qytetarëve. Qytetarët sa më shpejt duhet të binden se do të ketë epilog. Pra, të gjithë që janë fajtorë, edhe prej ish pushtetit, por edhe nga pushteti aktual duhet të përgjigjen dhe të ndëshkohen nëse konstatohet fajësia”, shtoi në fund deputeti Snopçe.