Snopçe: Sistemi i drejtësisë në Maqedoni, një nga sëmundjet më akute të shtetit

Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, ka deklaruar se sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga problemet më të mëdha të shtetit, duke theksuar mungesën e besimit të qytetarëve dhe nivelin e lartë të korrupsionit.

Marketing

Në një intervistë për Ora Njuz, Snopçe tha se vetëm 2% e qytetarëve i besojnë sistemit të drejtësisë, sipas të dhënave nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore që matin këto parametra. Ai theksoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë sfida madhore për vendin dhe se lufta kundër tyre duhet të jetë një prioritet absolut. “Nuk ka alternativë tjetër përveçse të angazhohemi seriozisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është i pranishëm në nivelet më të larta të shtetit. Por kjo betejë nuk mund të fitohet pa mbështetjen e një gjyqësori të pavarur”, u shpreh Snopçe.

 

Ai kujtoi skandalet e kaluara që dëshmojnë ndikimin politik mbi drejtësinë, duke përmendur edhe të ashtuquajturat “bombat e Zaevit”, të cilat ekspozuan mënyrën se si janë zgjedhur prokurorët dhe gjykatësit ndër vite. “Në shtatë vitet e fundit kemi parë sesi në sistem janë emëruar individë të lidhur me politikën – ish-ministra, ish-deputetë, madje edhe një ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili tani është pjesë e Frontit Europian. Kjo tregon qartë sesi ka funksionuar pushteti gjyqësor”, shtoi ai.

 

Snopçe kërkoi reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve që duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sipas tij, pa një gjyqësor të pavarur dhe të pakorruptuar, vendi nuk mund të përparojë në rrugën e integrimit europian.

Maqedonia e vendosur në partneritetin strategjik me SHBA, BE dhe NATO

Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit të saj strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke theksuar se nuk do të ketë devijime nga ky kurs në politikën e jashtme të vendit.

Ai për Ora Njuz, Snopçe komentoi mbi zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare, duke përmendur ndryshimet politike në SHBA dhe Gjermani, ku kanë fituar forcat e djathta. Snopçe theksoi se pavarësisht këtyre ndryshimeve, Maqedonia e Veriut mbetet e orientuar qartë drejt aleancave perëndimore. “Maqedonia është rreshtuar dhe e vendosur për një partneritet strategjik jo vetëm me SHBA-në, por edhe me BE-në dhe NATO-n. Këto janë tre partnerët tanë kryesorë, dhe diplomacia jonë nuk do të devijojë nga ky partneritet dhe këto interesa strategjike”, u shpreh Snopçe.

Ai vuri në dukje se pas ndryshimeve në administratën amerikane është vërejtur një ndryshim në retorikën ndërkombëtare, ku tashmë fokusi është vendosur tek paqja dhe stabiliteti global. “Është fakt i pamohueshëm që tani gjithkush flet për paqe, qoftë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, në Gaza apo në rajone të tjera. Politika e presidentit Tramp, në mënyrë indirekte, çon drejt një kompaktësie më të madhe mes shteteve evropiane,” shtoi ai.

Snopçe theksoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ndjekë kursin e saj euroatlantik, duke e konsideruar këtë si një vendim strategjik dhe të panegociueshëm për të ardhmen e vendit.