Sofër Bajrami për të gjithë

Edhe këtë vit, ashtu sikurse herave tjera, organizata të shumta humanitare janë përgatitur për festën e Kurban Bajramit. Shpërndarje e mishit të kurbanit, rroba dhe ushqime për të varfrit janë ndihmat që kryesisht japin organizatat për këtë festë të madhe të myslimanëve, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Nga shoqatat humanitare thonë se shpërndarja e ndihmave një ditë para dhe në ditën e Kurban Bajramit bëhet me qëllim që tek të gjithë të ndjehet gëzimi dhe atmosfera festive, sepse siç thonë ata, kjo festë është e festë e solidarizimit, sakrificës, humanizmit, bujarisë dhe mëshirës dhe këto vlera duhet të ndjehen dhe përjetohen bashkërisht.

Organizata Humanitare “El Hilal” në kuadër të festës kryen disa aktivitete, ndërsa formë e zhvillimit të ndihmave humanitare janë edhe pakot e Bajramit, mirëpo janë të të fokusuar në therjen e kurbaneve dhe shpërndarjen e mishit.

“Dega e Shkupit dhe ajo e Gostivarit ka bërë ndarjen e 400 pakove me artikuj ushqimor si donacion të bamirësve mërgimtarë për familjet nevojtare me rastin e festës së Kurban Bajramit. Gjithashtu, për nderë të kësaj feste kemi siguruar veshmbathje për 200 fëmijë, ndërsa të hënën do të bëhet ndarja e 50 pakove me artikuj ushqimor dhe veshmbathje në qendrën për pranimin e refugjatëve dhe azilantëve në Maqedoni”, deklaroi për gazetën KOHA, kryetari i shoqatës “El Hilal”, Behixhudin Shehapi.

Edhe pse me numër të kufizuar nga shoqatat humanitare në këtë festë nuk do të harrohen edhe refugjatët dhe azilantët e ardhur nga Siria për të cilët është paraparë ndarja e ndihmave.

“Ne si shoqatë kemi realizuar një numër të madh aktivitetesh për familjet skamnore dhe jetimët. Janë shpërndarë rreth 200 pako me artikuj ushqimorë, ndërsa janë shpërndarë dhe veshmbathje për më shumë se 500 persona në Maqedoninë Lindore si dhe në zonën e Kumanovës. Për festën e Kurban Bajramit jemi në proces të grumbullimit të kurbaneve nga të gjithë ata që besimin ja japin organizatës tonë për të bërë therjen dhe shpërndarjen e kurbaneve të tyre, duke shpresuar që ky numër të jetë i mjaftueshëm, ngjashëm me vitet e kaluara. Këtë vit do të tentojmë të përfshijmë edhe disa institucione të cilat merren për kujdesin e njerëzve me nevoja të veçanta, jetimëve dhe gjithë nevojtarëve të tjerë. Një pjesë e mishit do t’u dedikohet edhe refugjatëve”, u shpreh për gazetën Koha, Rufat Sherifi nga shoqata “Kalliri i Mirësisë”.

Me rastin e Kurban Bajramit, edhe Shoqata Edukative “Vllaznia” realizon një sërë aktivitetesh, duke filluar nga shpërndarja e mishit e deri te manifestimi solemn i Kurban Bajramit që realizohet në Pallatin e Kulturës në Kumanovë, ku shpërndahen edhe dhurata për fëmijët e pranishëm në sallë.

“Varësisht prej ecurisë së grumbullimit të kurbaneve, shpërndahet mish kurbani për fëmijët jetim fillimisht e më pas tek skamnoret, me qëllim që atmosfera e gëzimit të festës së Bajramit të mos mungojë në asnjë familje. Në manifestimin e Bajramit, si aktivitet kryesor prezantojnë fëmijët që ndjekin mësimet në shkollën për edukim ‘Jakup Asipi’, që vepron në kuadër të shoqatës ‘Vllaznia’. Bëhet fjalë për një program edukativ dhe argëtues, ku edhe bëhet ndarja e diplomave për fëmijët që kanë kryer me sukses nivelin e mësimeve në kuadër të kësaj shkolle”, deklaroi Milazim Mustafa nga shoqata edukative “Vllaznia”. (koha.mk)