Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka konfirmuar se klubi nuk planifikon ta zëvendësojë Alexis Sanchezin edhe nëse sulmuesi kilian largohet nga klubi gjatë këtij afati kalimtar të verës.
Alexis Sanchez është vlerësuar si dështak në Manchester United, që prej transferimit të tij nga Arsenali në janar të vitit 2018, si pjesë e marrëveshjes për shkëmbim me Henrikh Mkhitaryan.
Përkundër që është lojtari më i paguar në skuadër, Sanchez ka mbetur vetëm si rezervë në klub, falë paraqitjeve të dobëta dhe lëndimeve të shumta të tij. Ai i ka shënuar vetëm tri gola në Premierligë në 32 paraqitje.
Mediumet britanike dhe italiane sugjerojnë se Sanchezi është afër transferimit në Inter, por marrëveshja mund të mos kompletohet pasi që dy klubet kanë kohë vetëm deri më 2 shtator, kur mbyllet afati kalimtar për klubet angleze.
Ai do të bëhej lojtari i dytë i Manchester Unitedit që transferohet në Inter gjatë këtij afati kalimtar të verës, pas kalimit të Romelu Lukakus.
Edhe pse afati kalimtar për klubet angleze është mbyllet më 8 gusht, Manchester Unitedi e ka mundësinë të kërkojë zëvendësues për Sanchezin në mesin e lojtarëve pa klub, por Solskjaer ka bërë të ditur se s’do të bëjë një gjë të tillë.
“Nuk po shikojmë për të bërë transferime të tjera më”, zbuloi Solskjaer të premten.