Sondazhi i Gallup: 42% e qytetarëve në RMV duan të jetojnë në një vend tjetër!

42 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të largoheshin nga vendi nëse do të pajiseshin me të gjitha dokumentet e nevojshme.

Marketing

Të dhënat e një sondazhi të realizuar nga Gallup për periudhën gusht-tetor të vitit të kaluar janë tronditëse.

Pyetjes “Nëse do të kishit të gjitha dokumentet e duhura, do të dëshironit të jetonit në një vend tjetër apo të qëndroni aty ku jeni”, një numër befasues të intervistuarish iu përgjigj se do të preferonte largimin.

Gatishmërinë më të madhe për t’u larguar e kanë treguar të rinjtë dhe persona me arsim më të lartë. Përqindja e qytetarëve që do të linin vendin e tyre është më e lartë se ajo botërore, që llogaritet 36 për qind.

Nga vendet e rajonit, një gatishmëri të madhe për imigrim mbi mesataren botërore tregojnë të anketuarit nga Bosnja dhe Hercegovina, ku 48 për qind deklaruan se do të shkonin jashtë vendit, në Greqi, ku kjo përqindje është 40, ndërsa në Kosovë 39 për qind.

Përqindje më të vogël, nën mesataren botërore shënon Kroacia, ku 35 për qind e të anketuarve deklaruan se do të emigronin, Bullgaria me 25 dhe Sllovenia me 21 për qind, nivele këto më të ulëta se mesatarja botërore.

Në Shqipëri dhe Serbi, sondazhi nuk është kryer. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se faktori kryesor motivues për emigracion janë të ardhurat mesatare në vend: sa më të ulëta të ardhurat, aq më e lartë dëshira për të emigruar dhe anasjelltas. Anketa e realizuar nga Gallup ka nje marzh gabimi prej 3,5 për qind, me një nivel besimi 95 për qind.