Sonte, Kombëtarja e Kosovës do përballet me ish kampionin e Botës, Spanjën, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Pas fitores ndaj Gjeorgjisë dhe barazimit me Greqinë, skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes do kërkojë një tjetër rezultat pozitiv, shkruan lajmi.net.
Për “Dardanët” në këtë takim nuk do jenë të gatshëm Lirim Kastrati dhe Besar Halimi të suspenduar si dhe portieri Visar Bekaj, që vazhdon të jetë pozitiv me COVID-19.
Ndërkohë, nuk dihet nëse Elbasan Rashani dhe Valon Berisha do jenë gati nga minuta e parë, duke marrë parasysh që u lënduan në takimet paraprake.
Përzgjedhësi Challandes dje në konferencë për shtyp e vlerësoi ndeshje shumë të vështirë, duke bërë më dije që duhet të mbrohen shumë mirë, për të arkëtuar se paku një pikë.
Ndërkohë, përballja zhvillohet në tempullin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.