Seanca të kryesisë qendrore dhe ekzekutive të LSDM-së do të mbahen sot në selinë e partisë ku duhet të konfirmohen zgjidhjet kadrovike për përbërjen e qeverisë së re. Siç thonë nga LSDM-ja, seanca e bordit ekzekutiv është caktuar për në orën 18, pas çka në orën 20 do të takohet kryesia qendrore. Lideri i LSDM-së dhe mandatar, Dimitar Kovaçevski pritet që nesër Kuvendit t’ia dorëzojë propozimin për përbërjen e kabinetit të ri dhe programin e ri qeveritar, ndërsa në fund të kësaj jave duhet të mbahet seanca në Kuvend për zgjedhjen e Qeverisë.
Sa i përket përbërjes së re qeveritare dhe resorëve me të cilët do të udhëheqë LSDM-ja, nuk zbulohen emrat, por sipas paralajmërimeve të Kovaçevskit, bëhet fjalë për njerëz të rinj të dëshmuar në qeverinë paraprake të cilët arritën realizime dhe rezultate të mira në resorët e tyre. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, Kovaçevskit ia dha mandatin për formimin e qeverisë së re më 29 dhjetor, pas çka filloi skadimi i afatit 20 ditor brenda të cilit mandatari duhet t’ia dorëzojë Kuvendit kabinetin e ri dhe programin qeveritar.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në deklaratën e tij të fundit për këtë vit, në fund të dhjetorit u shpreh optimist se mandatari nuk do t’i shfrytëzojë deri në fund afatet kohore dhe se pret që qeveria e re të formohet dhe të jetë funksionale më 17 janar 2022.