Shkruan: Naser Pajaziti
Më 4 mars të 2003, rreth orës 17:30 një makinë Jeep e misionit të NATO kishte hasur në një minë antitank në rrugën Sopot- Sushevë (fshatrat në zonën kufitare Maqedoni- Serbi), me ç’rast shpërthimi la të vdekur dy ushtarë të misionit polak të NATO-s, një punonjës civil, ndërsa përkhtyesja kishte ngelur e plagosur.
Pa kaluar shumë orë e ditë, njësitet speciale ndërhyjnë në fshatin Sopot, duke arrestuar banorët lokal shqiptarë, të cilët më pas përmes një montimi klasik nga shërbimi sekret dalin fajtor.
Nga një inskenim monstruoz kriminal shtetëror, 12 banorë të fshatit u shpallën fajtor, edhe ate përmes një dëshmie që ishte bërë nën presion të dhunës makabre. Pas një hetimi të detajuar, përfshirë edhe faktorët ndërkombëtarë, doli se rasti ishte i montuar nga struktura të shërbimit sekret ku pafajësisht u dënuan 12 banorë me 156 vite burg. Gjysma prej tyre thuajse vuajtën dënimin, ndërsa të tjerët ishin arratisur.
Me zbardhjen e plotë të rastit, fajtorë dolën 6 agjentë të shërbimit sekret DSK, të cilët sipas akuzës kishin tejkaluar kompetencat dhe kishin marrë me dhunë deklaratën e dëshmitarit të vetëm të rastit, Ramadan Bajrami.
Po ata megjithatë dolën të pafajshëm dhe nuk u ndërmor asgjë, sepse vepra penale ishte vjetërsuar dhe sipas ligjeve të vendit, nuk mund të merret në shqyrtim. Por, edhe me arsyetimet se dispozitat ligjore nuk lejojnë inicimin e procedurave penale kundër pjesëtarëve të policisë sekrete.
Kjo është drejtësia në këtë vend!