Dëmshpërblimi përmes rrugës gjyqësore mbetet opsioni i fundit për Sopotasit. Ekspertët interpretojnë se ligji nuk obligon ministrinë e Drejtësisë të ofrojë me doemos shumën e kërkuar nga të dënuarit. Zvonko Davidoviq thekson se Ligji mbi procedurën penale përcakton qartë se dikasteri i Drejtësisë mund të ofrojë një shumë të caktuar për dëmin ose të mos pranojë kërkesën. Në rast se të dënuarit nuk janë të kënaqur nga shuma e ofruar ose i mohohet kërkesa, atëherë nisin procedurë në Gjykatën Civile.
“I dënuari është i obliguar që në fillim të drejtohet tek ministria e Drejtësisë. Ministria duhet t’i përgjigjet. Ka të drejtë t’ia mohojë kërkesën apo mund të propozojë një shumë të caktuar të cilën në rast se e pranon kërkuesi, lidhet marrëveshja. Nëse nuk është i kënaqur mund të iniciojë padi duke mohuar ofertën dhe të procedojë më tej në Gjykatën Civile”, deklaroi Zvonko Davidoviq, ekspert juridik.
Davidoviq shton se procedura e tillë mund të zgjas me vite dhe se ish të dënuarit duhet t’i nënshtrohen ekspertizave neuropsikiatrike.
“Duhet të bëjë ekspertizë neuropsikiatrik, ta arsyetojë bazën mbi të cilën kërkon dëm dhe lartësinë e dënimit. Procedura mund të zgjas si për çdo lëndë tjetër, nuk dallon asgjë”, Zvonko Davidoviq, ekspert juridik.
Ish të dënuarit për rastin Sopoti, pas lirimit nga akuza kërkuan dëmshpërblim prej 144 milion denarë nga ministria e Drejtësisë. E para e këtij dikasteri, Renata Deskoska nuk pranoi kërkesën e tyre duke theksuar se në ministri nuk ka kritere mbi të cilat mund të vlerësohet dëmi i shkaktuar ndaj tyre, duke i referuar në këtë mënyrë që betejën me drejtësinë ta vazhdojnë në rrugë gjyqësore. Sopotasit këtë veprim të Drejtësisë e vlerësuan si thikë pas shpine duke potencuar se nuk do të heqin dorë nga e drejta e tyre duke paralajmëruar padi ndaj shtetit.