Sot 9 vite pa komandant Zogun, familjarët: Kujtimi për ty po na mban gjallë! (FOTO)

Si çdo vit, edhe sivjet më 17 maj, Rrezarta dhe Era Samiu vizitojnë varrin e babait Rrahim Samiut te varrezat e dëshmorëve në Tetovë, bashkë me nënën e tyre për të vendosur lule të freskëta mbi varrin e babait.

Marketing

Janë bë 9 vite që kur u nda nga jeta njëri ndër luftëtarët më të njohur nga rajoni i Tetovës, i cili me nofkën Komandant Zogu luftoi sypatrembur në Kosovë dhe Maqedoni. Dhimbja është e madhe dhe nuk shuhet, por edhe më e madhe është krenaria për babain dhe bashkëshortin dëshmor, i cili i doli zot kombit dhe atdheut në momentet më të vështira.

Rrahim Samiun e gjeje në luftë aty ku ishte zjarri më i madh thonë bashkëluftëtarët e tij. Ishte i guximshëm dhe sypatrembur. Edhe pse plagët që i mori ishin të rënda, nuk u dorëzua por vazhdoi të luftojë. Nuk u dorëzua as pas lufte.

Ashtu siç kishte dëshirë të luftonte kundër armikut gjatë luftës, ashtu kishte dëshirë që sa më gjatë që ishte e mundur të luftojë për familjen dhe të shihte fëmijët si po rriten dhe të kujdesej për ta.

Deri në vitin 2011, kur lamtumira nga kjo jetë ishte e pashmangshme, sepse plagët e marrë në front rëndonin gjithnjë e më tepër shëndetin e tij. U shua ky simbol i lirisë ashtu siç edhe jetoi: modest dhe i heshtur, duke mos folur asnjëherë për vetveten, por duke lënë vend që veprat të flasin për të. U nda nga jeta me amanetin e fundit për fëmijët: të luftojnë dhe të kontribuojnë për atdheun.

Rrahim Samiu-Zogu ndërroi më 17 Maj 2011. Ai u lind më 22 Tetor të vitit 1971 në Shemshovë të Tetovës.

“Çdo ditë pa ty është shumë e vështirë. Vitet po kalojnë, më 17 maj u bënë 9 vite që u ndave nga ne, por malli për ty vetëm po na shtohet. Ti akoma jeton në zemrat tona, kujtimi dhe krenaria për Ty na mban në jetë”, thonë në përkujtimin e tyre bashkëshortja e tij Luljeta me
me vajzat Rrezëarta dhe Era.

Rrahim Samiu ishte edhe anëtar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së në degën e Prishtinës.