Sot aktvendim për Jankulloskën në procedurën e ndarë për “Tanku”-n

Në Gjykatën Penale sot duhet të shqiptohet aktvendimi për procedurën e ndarë për Gordana Jankulloskën për lëndën “Tanku”.

Marketing

Prokuroria, në fjalën e fundit, kërkoi që Gjykata ta shpallë Jankulloskën fajtore për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizim, si dhe t’i kthejë shpenzimet së bashku me Popovskin dhe Gruevskin në vlerë prej 313 mijë denarëve.

Prokurorja Fatime Fetai në fjalën përmbyllëse theksoi, se nga dëshmitë e dhëna, qartë shihet se Jankulloska e ka nxitur Poposkin të furnizojë automjet të blinduar për MPB-në dhe ajo t’i jepet në shfrytëzim kryeministrit Gruevski.

“Jankulloska është fajtore për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, sepse ajo ishte e vetëdijshme për veprën e saj dhe e ka dashur këtë veprim. Propozojmë që Gjykata t’i marrë si rrethanë rënduese, shkallën e përgjegjësisë, ndërsa si rrethanë lehtësuese, situatën familjare”, tha Fetai.

Mbrojtja, në fjalën përmbyllëse, tha se në procedurë është shkelur ashpër parimi i barazisë së armëve, PSP-ja nuk e ka dëshmuar kompetencën e saj, si dhe se Gjykata duhet të sjell aktvendim për veprim që gjoja ka ndodhur para gjashtë viteve në bazë të dëshmive të cilat në pjesë të madhe janë furnizuar me shkeljen e të drejtave vendore dhe ndërkombëtare.

E akuzuara Gordana Jankulloska në fjalën përmbyllëse, tha se “derisa ka zgjatur procedura ajo është dashur të kujdeset për foshnjën disamuajshe, si dhe se ishte e ekspozuar në linçimin medial me publikimin e disa pjesëve të audio bisedimeve të marra në mënyrë të paligjshme”.

“Në asnjë moment tek unë nuk ka ekzistuar paramendim për të nxitur askënd për furnizim të automjetit. Si ministre asnjëherë dhe askujt nuk kam bërë presion dhe as që i jam nënshtruar ndonjë presioni. Gjykata lidhur me mua duhet të sjell aktvendim për lirim”, tha Jankulloska.

Gjykimi për Jankulloskën filloi në fund të muajit gusht të këtij viti, pasi e pandehura kishte lindur. Ajo
gjykohet veçanërisht pasi Gjykata e pranoi kërkesën e avokatëve për pushim mjekësor për shkak të shtatzënisë së saj.

Në “Tank” tani më janë dënuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski në dy vjet burgim dhe ish-ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski më gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim, për furnizimin e automjetet të blinduar “Mercedes C600” në vlerë prej 600.000 eurove.

Marketing