Në Kuvendin e Maqedonisë sot fillon faza e tretë dhe finale për ndryshimin e Kushtetutës, sipas marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Që të kalojë teksti i amendamenteve kushtetuese të propozuar nga Qeveria, duhet të mbështeten nga së paku dy të tretat e deputetëve në Kuvend ose 80 deputetë të votojnë “pro”.
Kryeministri Zoran Zaev është shprehur optimist se do të sigurohen 80 vota në Kuvend në votimin final për zbatimin e marrëveshjes së Prespës, e cila parasheh ndryshime kushtetuese në Maqedoni. Në kuadër të ndryshimeve do të përfshihen edhe amendamentet e partive opozitare shqiptare si ASH-së dhe Lëvizjes BESA.
VMRO-DPMNE ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikollovski tha se do të përjashtohen ata deputetët nga radhët e tyre, nëse do të votojnë për ndryshimet kushtetuese.
Seanca finale sipas rregullores së Kuvendit nuk mund të zgjas më shumë se dhjetë ditë. Pasi të përfundojë procesi i ndryshimeve kushtetuese përfundon procedura në Shkup, ndërsa më pas “topi hidhet” tek Greqia, e cila gjithashtu me shumicë votash të deputetëve duhet të ratifikojë marrëveshjen.