Kosova e cila është në Ligën D, do ta luajë ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve si mysafirë në Baku, kundër Azerbajxhanit, duke filluar nga ora 18:00.
Kombëtarja e Kosovës e ndanë grupin me Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe
Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes ka pranuar se Azerbajxhani është njëra prej Kombëtareve favorite për e ka bërë të qartë se në Baku Kosova do të luajë për fitore.
“Kosova ka një ekip të ri me lojtarë rinj por po rritet çdo ditë e më shumë. Më nuk ka ekipe të lehta. Ne do të jemi në fushë për ta bërë gjënë më të mirë të mundshme”, ka thënë ai.
Ndërkohë Shqipëria po ashtu do ta zhvillojë ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve sonte kundër Izraelit, duke filluar nga ora 20:45 në “Elbasan Arena”.
Shqipëria gjendet në Ligën C, me Izraelin dhe Skocinë.
“Skuadra është mirë, ka punuar shumë, është në gjendje shumë të mirë dhe gati për t’u përballur me Izraelin”, ka thënë trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci.
Liga e Kombeve e UEFA-s është turne i ri ndërkombëtar në të cilin kombet evropiane garojnë në një format lige për të pasur mundësinë të luajnë në “Final Four” verën e vitit 2019, ku fituesi do të shpallet kampion i Ligës së Kombeve.
Pesëdhjetë e pesë kombëtaret janë ndarë në tri liga, bazuar në renditjen e tyre aktuale në UEFA, ndërsa secila ligë është ndarë në katër nivele – A, B, C dhe D – të cilat përbëhen nga tri apo katër ekipe. Ekipet e secilës ligë do të luajnë ndaj njëra-tjetrës në shtëpi dhe udhëtim mes muajve shtator dhe nëntor, përcjell Gazeta Express.
Ekipet që përfundojnë në krye të grupit të vet përkatës promovohen një ligë më lartë, ndërsa ekipet që përfundojnë në fund të grupeve të tyre përkatëse do të bien një ligë më poshtë, përveç ato të nivelit më të ulët, pra Ligës D (ku bën pjesë edhe Kosova).
Liga e Kombeve do të ndikojë edhe në kualifikimet për Evropian. Përmes kualifikimeve vendin në Kampionatin e ardhshëm Evropian do ta sigurojnë plot 20 Kombëtare. Kjo nënkupton se katër vendet e mbetura do të vendosen përmes Ligës së Kombeve, pasi që fituesi i secilës ligë A, B, C dhe D e fiton një vend në EURO 2020. Nëse një vend e ka siguruar tashmë kualifikimin përmes rrugës tradicionale, atëherë vendi i tij do t’i takojë ekipit tjetër të renditur më së larti në ligën e tyre përkatëse. /Gazeta Express/