Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në total numri i rasteve aktive është 2,640, ndërsa në njoftimin për media lidhur me masat e reja antiCOVID-19 nga Oda e Turizmit dhe Hotelierisë ditë më parë kanë njoftuar se vendimi pritet të merren sot, më 11 gusht.
Qeveria e Kosovës sot ka njoftuar se do të mbajë mbledhjen e radhës në ora 10:00 por nuk ka treguar pikat e rendit të ditës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ditë më parë ka paralajmëruar masa për ata qytetarë që nuk marrin vaksinën antiCOVID-19.
“Nuk mund të lejojmë që qytetarët të pa vaksinuar, për shkak të neglizhencës të kenë liritë e njëjta me ata që janë vaksinuar”, ishte shprehur Vitia.
“Virusi Delta nuk po kursen tash as fëmijët. Janë shumë fëmijë të infektuar me valën e fundit dhe ky është një alarm për qytetarët që të jenë të ndërgjegjshëm”.
Sipas tij, me paraqitjen e variantit Delta është e qartë se çdo masë konvencionale nuk do të ketë suksesin që kanë pasur para variantit Delta dhe në këtë drejtim ka rritur në 290 ekipe të vaksinimit në mbarë Kosovën.
Se do të ketë masat e reja kanë thënë edhe nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit ditë më parë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marr pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë në qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marr vaksinën anti-COVID, pasi nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet.
“Drejtori i departamentit të sallave të dasmave pranë Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Driton Hoti ka mbajtur sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Takimi ishte për qëllim të diskutimit rreth ngritjes së rasteve të të infektuarve me Covid-19 dhe nga ky takim u vendos të merret një vendim.
Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marr pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marr vaksinën anti-COVID sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit.
Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate.
Këto vendime priten të hyjnë në fuqi më 11.08.2021.
MSH dhe IKSHPK në vazhdimësi po u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi varianti Delta del t[ jetë më i përhapuri në Kosovë.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 504.817 doza të vaksinës.
Deri më sot 170.852qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.