Sot merret vendimi gjyqësor për Sead Koçan

Gjykatësja Lidija Trajkovska-Zimbovska, e cila është kryetare e këshillit gjyqësor për lëndën “Trust”, sot duhet ta shpallë aktgjykimin për të akuzuarit në këtë rast.
Të akuzuarit Sead Koçan, Vasilije Aviroviq dhe Safet Vatiq para Gjykatës u shprehën se nuk ndjejnë faj për veprën për të cilën akuzohen.

Marketing

Koçan në fjalët përfundimtare tha se nuk ndjehet fajtor, sepse nuk ka pasur kurrfarë qëllimi të shkelë ndonjë ligj.
“Pranë të thatit digjet edhe i njomi”, tha Koçan dhe shtoi se qëllimi i vetëm ka qenë të jenë konkurrent në treg dhe të sigurojë punë për të punësuarit e tij dhe familjet e tyre.

Ai potencoi se nuk i ka kontrolluar dokumentet për këtë rast para se t’i nënshkruajë, edhe pse si menaxher ka pasur obligim të tillë.

“Si menaxher, edhe pse e kam pasur të obliguar t’i kontrolloj të gjitha dokumentet para se t’i nënshkruaj, nuk e kam bërë këtë duke besuar fuqishëm në ekipin tim”, tha Koçan.

Edhe Aviroviq në fjalët përfundimtare u shpreh se nuk ndjehet fajtor për veprën për të cilën akuzohet. Sipas tij, akuza është e pabazë dhe plotësisht e ka rrezikuar gjendjen e tij shëndetësore.

I akuzuari Vatiq në fjalët përfundimtare, gjithashtu, tha se nuk ndjehet fajtor dhe pret të miratohet shfajësimi.
Përfaqësuesja e “Transmet” SHPK Shkup, Sabina Alomeroviq tha se përfshihet në fjalët përfundimtare të avokatëve mbrojtës të personit juridik dhe në tërësi qëndron pas tyre. Ajo potencoi se pret aktgjykim shfajësues për personin juridik “Transmet” SHPK Shkup.

Avokati Jovan Joanidis, i cili është përfaqësues i personit juridik “Sileks nemetali ST” tha se Gjykata në mënyrë korrekte e ka udhëhequr procedurën e tërësishme dhe pret të sillet aktgjykim shfajësues për të gjithë.

Sipas tij në këtë lëndë nuk ka elemente të veprës penale për të cilën ngarkohen të gjithë të akuzuarit.
PSP kërkoi tre të akuzuarit të dënohen, ndërsa firmat “Transmet SHPK Shkup dhe “Sileks nemetali ST” përmes konfiskimit të kthejnë në buxhetin shtetëror 17 milionë euro.

Përveç kërkesës për konfiskim të pronës, PSP vendosi të akuzuarin e tretë në këtë rast Safet Vasiq ta përndjekë për ndihmë dhe e tërhoqi akuzën për firmën e tij “Vatio” SHPK Studeniçan.

Sipas akuzës, të dyshuarit kanë formuar konzorcium dhe me dokumente të rrejshme kanë marrë tender për gërmimin e zgjyrës në REK Bitola.

Marketing