Sot protestojnë veteranët e UÇK-së

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shtunën duke filluar nga ora 18:00 do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Marketing

Në njoftim është potencuar se “do të protestohet kundër skandaleve qeveritare”.

“Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK! Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, është shkruar ndër të tjera në njoftimin e organizatës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar dje se Kuvendi i Kosovës jashtëligjshëm ka miratuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk përfshin veteranët e luftës.
Ai po ashtu ka thënë se nga viti i kaluar kanë bërë të ditur qëndrimet e organizatës që do të pengojnë punën e institucioneve, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Kësaj proteste ka konfirmuar se do t’i bashkohet edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmë (13 korrik) Projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë veteranët.