Sot takimi Zaev – Kasami, a do të ketë marrëveshje?!

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev për sot paralajmëroi takimin me kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ku do të bisedohet për kërkesat e këtij të fundit si kusht për votën “për” për ndryshimet kushtetuese.

Marketing

“Unë jam duke vazhduar bisedimet me të gjitha partitë, kështu do të realizoj takim edhe me zotërinë, Bilall Kasamin, ku do të flasim për atë që ai mendon se duhet të flasim. Por mu më vjen mirë që kemi dy parti politike, që janë nga opozita shqiptare, siç është Besa e udhëhequr nga Bilall Kasami dhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela, se kemi përkrahës të mëdhenj të proceseve integruese të Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe kjo do të thotë se me nga ata presim përkrahje”, tha Zaev.

Takimin e kanë konfirmuar edhe nga partia me kryetar Kasamin, dhe shtuan se fakti se ka bisedime dhe dialog, nuk duhet të paragjykojmë se nuk do të pranohen kërkesat që Besa i paraqiti si kusht për dy votat e saja “për” ndryshimet kushtetuese.

“Po do ketë takim mes kryetarit Kasami me kryeministrin Zaev. Do bisedohet për propozimet e Lëvizjes Besa rreth ndryshimeve kushtetuese. Fakti qe ka biseda dhe dialog nuk duam te paragjykojmë se nuk do pranohen kërkesat e Lëvizjes Besa”, tha zëdhënësi i BESA-s, Elmedin Memishi.

Siç sqaroi ai, kërkesat kanë të bëjnë: “Me ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe funksional, dhe duke pasur të gjitha argumentet në anën tonë, besojmë se këto amendamente do të pranohen”.

Kryeministri Zaev pas këtij takimi pritet të takoj edhe liderin e ASH-së, Ziadin Sela. Partitë shqiptare të opozitës kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë me amendamentet e tyre që kanë të bëjnë me heqjen e emërtimit 20% dhe përfshirjen e emërtimit shqiptar. Po ashtu kërkohet edhe përfshirja e gjuhës shqipe.