Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka deklaruar se Spanja, Franca dhe Portugalia kishin rënë dakord për të ndërtuar një tubacion energjie që lidh gadishullin Iberik me pjesën tjetër të Evropës.
Projekti i ri, të cilin kryeministri Sanchez e quajti një “Korridor të Energjisë së Gjelbër”, do të zëvendësojë planin e mëparshëm të quajtur “MidCat” të propozuar një dekadë më parë, por u pezullua në vitin 2019 për shkak të çështjeve rregullatore dhe mungesës së financimit.
Por, me Rusinë që po kufizon dërgesat e gazit në pjesën më të madhe të Evropës si reagim ndaj sanksioneve për pushtimin e Ukrainës, ka pasur një ringjallje të interesit për të sjellë furnizimet e nevojshme nga Spanja në pjesën tjetër të kontinentit.
Me rritjen e çmimeve të energjisë, Madridi u përpoq për ringjalljen e projektit, me mbështetjen e plotë të Berlinit, i cili po vuan mbylljen e furnizimeve të gazit rus nëpërmjet tubacionit “Rrjedha e Veriut 1” për një kohë të pacaktuar.
“Ne kemi rënë dakord për… një projekt të ri që do të quhet “Korridori i Energjisë së Gjelbër” që do të lidhë gadishullin Iberik me Francën dhe si rrjedhojë, me tregun evropian të energjisë midis Barcelonës dhe Marsejës,” shpjegoi z. Sanchez pas mbërritjes së tij për një samit të BE-së mbi krizën energjetike.
Sanchez tha se tubacioni të shërbejë për hidrogjenin dhe gazin e lëngshëm “gjatë një periudhe tranzicioni të nevojshme për tregun evropian të energjisë”.
Spanja aktualisht ka gjashtë terminale të gazit natyror të lëngshëm për përpunimin e gazit që mbërrin nga deti, gjë që mund të ndihmojë BE-në të rrisë importet me një furnitor më të mirë.
Por ka vetëm dy lidhje me kapacitet të ulët me rrjetin e gazit të Francës, i cili ka lidhje me pjesën tjetër të Evropës./ REL