Spanja, Norvegjia dhe Irlanda shpallin njohjen e Palestinës si shtet

Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njoftuan se do ta njohin shtetin e Palestinës. Kryeministrat e të tri shteteve thanë se vendimi do të hyjë në fuqi më 28 maj, pasi sipas tyre, zgjidhja me dy shtetet është e vetmja rrugë për të arritur paqen në Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën.

Marketing

“Qeveria norvegjeze ka vendosur që Norvegjia të njohë Palestinën si shtet. Njohja e Norvegjisë do të hyjë në fuqi më 28 maj. Me këtë, Norvegjia do të njohë Palestinën si një shtet të pavarur, autonom me të gjithë të drejtat dhe detyrat që vijnë me të. E vetmja zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin në Lindjen e Mesme është një zgjidhje de facto me dy shtete.”, – deklaroi kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store.

“Ne do të njohim shtetin e Palestinës për shumë arsye që mund të përmblidhen në tre, tre fjalë: për paqen, për drejtësinë dhe për koherencën globale. Nuk do të lejojmë që mundësia e dy shteteve të shkatërrohet me forcë, e cila është e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për këtë konflikt të tmerrshëm.”, – theksoi kryeministri spanjoll, Pedro Sançez.

“Njohja është një akt me vlerë të fuqishme politike dhe simbolike. Është një shprehje e pikëpamjes sonë që Palestina mban dhe duhet të jetë në gjendje të mbrojë të drejtat e plota të shtetit, duke përfshirë vetëvendosjen, vetëqeverisjen, integritetin territorial dhe sigurinë.”, – u shpreh kryeministri i Irlandës, Simon Harris.

Pas Norvegjisë, Spanjës dhe Irlandës, edhe Belgjika pritet ta pranojë Palestinën si shtet të pavarur. Zëvendëskryeministrja e Belgjikës, Petra de Suter, përmes llogarisë në median sociale, tha se është koha për të njohur të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje, përfshirë të drejtën për shtet të pavarur. Ndërkohë, Izraeli si shenjë revolte tërhoqi ambasadorët e tij nga Irlanda dhe Norvegjia, për shkak të vendimit të tyre për të njohur shtetin e Palestinës. Gjithashtu ushtria izraelite nga ana tjetër ka vazhduar me bombardime intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, prej ku njoftohet për vrasjen e dhjetëra civilëve.