Një burrë spanjoll me simptoma të COVID-19 i cili u kollit para kolegëve të tij të punës duke ju thënë “Unë do t’ju infektoj të gjithë me koronavirusin” është akuzuar për shkaktim të dëmtimit me qëllim pasi infektoi 22 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia spanjolle tha se ata filluan hetimin pas shpërthimit të COVID-19 në kompaninë ku 40-vjeçari punonte në ishullin Mesdhetar të Mallorca-s.
Disa ditë para shpërthimit, burri tregoi simptoma të COVID-19 por refuzoi sugjerimet e kolegëve të tij për të shkuar në shtëpi dhe për t’u vetizoluar, tha policia në një deklaratë.
Pas punës, dhe duke mos treguar asnjë përmirësim, ai shkoi për një test PCR para se të shkonte në palestër dhe të kthehej në punë të nesërmen. Megjithëse eprorët e tij i thanë të shkonte në shtëpi pasi ai dyshohet se kishte temperaturë prej 40 gradë Celsius, burri nuk pranoi.
Ai ka ecur në vendin e tij të punës, me maskën e ulur dhe duke kollitur mbi njerëzit, duke thënë “Unë do t’ju infektoj të gjithë me koronavirus”, sipas policisë.
Në fund të ditës, testi i tij PCR rezultoi pozitiv. Më pas u testuan kolegët e tij, ku pesë veta rezultuan pozitivë. Ata nga ana tjetër infektuan anëtarët e familjes, duke përfshirë tri foshnja, tha policia. Në palestrën që vizitoi ai, tre persona rezultuan pozitivë dhe gjithashtu infektuan anëtarët e familjes.
Askush nga të infektuarit nuk kërkoi shtrimin në spital, tha policia.
Një gjykatës akuzoi burrin, i cili nuk u identifikua nga policia, dhe e liroi atë të shtunën në mbrëmje për të pritur gjykimin, njoftoi agjencia spanjolle e lajmeve Europa Press.