Spasovski dhe Mariçiq: Të konfiskohen pasuritë e kundërligjshme

Pesë nga 20 personat e dyshuar të arrestuar mbrëmë në operacionin e Policisë Financiare si “Peshkatarë”, iu caktua masa e kujdesit. Prokuroria e Shkupit informoi se hetime janë hapur për 13 persona, ndërsa për të tjerët është hapur procedurë parahetimore. Të dyshuarit kanë përfunduar procedurën e marrjes në pyetje para gjykatësit, i cili pesë personave u caktoi masa kujdesi, siç janë: marrja e pasaportës, ndalesë për ta lëshuar vendin e banimit dhe paraqitja e rregullt në gjykatë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sqaroi se aksioni për këtë rast është realizuar në bashkëpunim me disa institucione të vendit, ndërsa theksoi se për t’u zhdukur ky lloj krimi duhet të konfiskohet pasuria e krijuar në mënyrë të kundërligjshme.
“Këtë aksion të cilin e zhvilloi Policia Financiare është për t’u përshëndetur, ne për këtë aksion kemi pasur bashkëpunim me shumë institucione tjera të vendit. Asnjë krim nuk do të zhduket në tërësi nëse ajo pasuri e cila është krijuar në mënyrë të paligjshme nuk konfiskohet. E them këtë sepse që nga pavarësia e vendit deri në vitin 2017 kemi pasur vetëm tre raste kur është konfiskuar pasuria. Nuk ka peshq të vegjël apo të mëdhenj, por ka kriminel dhe jokriminel, vëmendja duhet të drejtohet drejt personave që mbajnë pozita zyrtare dhe bashkëpunojnë me kriminelë.”,– deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Duke komentuar rastin, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, potencoi se vendi duhet domosdoshmërisht të përqendrohet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, i cili është edhe parakusht nga ana e BE-së.
“Qeveria ka vendosur pritshmëri të larta për sektorin e drejtësisë edhe nga sundimi i drejtësisë dhe prandaj tani presim efikasitet, transparencë dhe përgjegjësi më të lartë në procesin e sjelljes së drejtësisë dhe ne si Qeveri çdoherë kemi qenë në atë anë që të gjitha lëndët të marrin epilog përfundimtar sa më shpejt. Ne duhet të tregojmë rezultate edhe më të mira në luftë kundër korrupsionit të lartë dhe konfiskim të pasurisë, e cila është arritur përmes rrugës kriminale.”,- theksoi ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Të arrestuarit në operacionin “Peshkatarët e tenderëve”, ku përfshihen bankierë, kontabilistë dhe biznesmenë, pretendohet se kanë dëmtuar buxhetin e vendit me rreth një milion euro në bazë të tatimit mbi vlerën e shtuar, tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale.
Marketing