Spasovski: Ka indikacione se disa të punësuar në polici kanë pronë më të madhe se biznesmenët

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot prej foltores së Kuvendit porositi se duhet të zbatohet sistemi i vetingut në polici. Planifikohet sjellja e një ligji të veçantë për veting dhe formimin e komisioneve në tre nivele, ndërsa do të analizohen tre aspekte të të punësuarve – dosja profesionale, gjendja me pronën dhe integritetin.

Marketing

“Ekzistojnë indikacione serioze se disa prej policëve, komandantëve dhe shefave kanë pronë të rritur shumëfish që nuk e kanë as biznesmenët të cilët me nga 20 vjet kanë biznese në Maqedoni. Këtu e shoh interesin se pse është shumë atraktive të jeni pjesë e policisë së Maqedonisë, dhe në shpalljen për 30 të punësuar paraqiten 3.000. Me siguri motivimi janë këta njerëz të cilët i shohin në përditshmëri”, theksoi Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve.

Shtoi se arsyet kryesore për të cilat duhet të zbatohet ky proces për zbulimin e mbi 50-të rasteve me diploma të falsifikuara të nëpunësve të policisë prej të cilëve disa kanë punuar edhe në funksione drejtuese, si edhe për shkak të numrit të veprave penale të të punësuarve në MPB.

“Procesi i vetingut meriton kujdes serioz dhe me përkushtim jemi duke punuar në të. Tashmë filluam ta bëjmë analizën e plotë të gjendjeve së bashku me OSBE-në dhe i analizuam praktikat evropiane. Dëshirojmë t’i shqyrtojmë të gjitha aspektet e mundshme gjatë zbatimit të këtij sistemi. Qëllimi i këtij procesi është të jetë inkluziv dhe transparent”, tha Spasovski.

Lidhur me komisionet të cilat do të përfshihen në këtë proces, Spasovski sqaroi se është planifikuar të ketë një komision të jashtëm jashtë kornizave të MPB-së, si edhe komision në kuadër të sektorëve për punë të brendshme.