Rasti “Lagja e Trimave” ka gjasa të jetë inskenuar politikisht. Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski mbrëmë në emisionin Click Plus. Ai tha se ka indicie se rasti “Lagja e Trimave” të jetë organizuar për të parandaluar publikimin e bombave të opozitës.
“Një nga dilemat e cila parashtrohet para meje dhe para qytetarëve të vendit është se a ishte ky skenar i cili kishte për qëllim parandalimin e publikimit të bombave. Sepse në muajin shkurt kishte filluar publikimi i bombave “E vërteta për Maqedoninë”, ndërsa në maj ndodhën ngjarjet në Kumanovë.” theksoi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme
Shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, Vilma Ruskoska, në një emision në Televizionin “Kanal 5” tha se rasti “Lagja e Trimave” është lëndë që është punuar shumë mirë me të gjitha provat dhe analizat e nevojshme dhe është shumë larg asaj që thuhet “rast i montuar politik”.
“Mendoj se për të gjithë kishim shumë dëshmi të forta, kishte analizë të ADN-së të bëra, kishte shenja të gishtave dhe gjithë dëshmitë që ishin të nevojshëm për atë lloj rasti. Kishim në dispozicion shumë dëshmi materiale për ata persona të cilët janë dënuar dhe nuk e di ku e shohin politikën.” U shpreh Vilma Ruskovksa, kryeprokurore e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit
Ndërsa avokat i të dënuarve në Lagjen e Trimave, Naser Raufi tha se aspak nuk pajtohet me konstatimin e kryeprokurores Ruskovkska. Ai thotë se edhe përkundër faktit se janë propozuar 200 prova materiale, asnjë nuk është pranuar dhe këtu, siç thotë, shihet qartë qëllimi i montimit të rastit.
“Nuk mund ta kuptoj çka kanë lidhje provat materiale me montimin. Montimi i rastit është evident dhe që ka qenë i nevojshëm ky montim, është shumë qartë, ka qenë e nevojshme për qeverinë e atëhershme. Ka qenë e montuar nga shërbimi sekret dhe dihet ajo punë, dhanë edhe dorëheqje edhe ish ministrja e punëve të brendshme edhe ish drejtori i shërbimit sekret.” U shpreh Naser Raufi, avokat i Lagjes së Trimave
Për momentin lënda gjendet në Gjykatën e Apelit, ku pas një jave pritet që të shqyrtohet ankesa e avokatëve për vendimin e shkallës së parë.
Raufi shpreson se në seancën ankimore në Gjykatën e apelit, rasti të rikthehet në rigjykim, pikërisht për arsyen e mos pranimit të provave nga pala mbrojtëse. Me pranimin e provave të palës mbrojtëse dhe rikthimin e rastit do të dihen edhe organizatorët e rastit dhe gjithë skenari, theksoi Raufi. Ndërsa dje familjarët e të dënuarve për rastin “ Lagja e Trimave” mbajtën protestë për të kërkuar rigjykim dhe rishqyrtim të rastit me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, sepse siç thonë ata, ky rast është i montuar politikisht.