Spasovski: MPB e ka zbardhur rastin me rrahjen e kryetarit të shoqatës bullgare

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, është prononcuar në lidhje me incidentin i cili ndodhi dje në Strugë, ku një person ka rrahur kryetarin e shoqatës bullgare “Shemeto”, Bekir Kadrieski.

Marketing

“Lidhur me këtë ngjarje është e rëndësishme që është vepruar shpejt dhe me efikasitet. Sulmuesi i personit është ndaluar. Deklarata janë marrë nga dëshmitarët okularë. Denoncimi dhe deklarata nga i dëmtuari ka ndodhur në qendrën mjekësore. Është njoftuar Prokurori Publik dhe pas mbledhjes së të gjitha provave do të ngrihet akuza. Ky rast është zbardhur nga MPB-ja”, tha Spasovski.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, njoftoi dje se një punonjës i Konsullatës së Përgjithshme në Manastir është dërguar në Strugë me qëllim që “të sqarojë faktet rreth rastit dhe të konstatojë nëse sulmi ishte vepër penale nga urrejtja”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë sot i bëri thirrje publikut dhe subjekteve politike në Bullgari që t’u mundësojnë institucioneve shtetërore maqedonase zbardhjen e rastit dhe apeloi që të mos jepen kualifikime derisa të konstatohet se përse ka ndodhur përleshja.