Në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka asnjë rast të vrasjes me qëllim nxjerrjen dhe trafikimin e organeve, është i prerë ministri i punëve të brendshëm, Oliver Spasovski, që i cilëson si dezinformata dhe spekulime lajmet për zhdukjen e personave dhe trafikimin me organe njerëzore.
Ai apeloi qytetarët të jenë të qetë dhe të mos bien pre e këtyre gënjeshtrave dhe të gjitha informatat e nevojshme t’i marrin nga burimet zyrtare dhe mos të kontribuojnë për përhapjen e frikës dhe shqetësimit tek qytetarët.
“Edhe njëherë ashpër demantoj dezinformatat dhe spekulimet ku keqpërdoren rastet aktuale me personat e zhdukur.
Kategorikisht hedh poshtë spekulimit për gjoja kidnapues dhe trafikim të organeve njerëzore, këto janë gënjeshtra dhe dezinformata përmes të cilave i shkaktohet dëm shoqërisë, qytetarëve dhe që iu duhet ndihmë. Nuk ka pasur rast të kidnapimit e as të personave që kohëve të fundit kanë bërë vetëvrasje e u mungojnë organe. Këtë e vërtetoi mjekësia ligjore. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë rast të vrasjes për nxjerrje të organeve”,- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
Spasovski tha se në përhapjen e këtyre lajmeve të rrejshme bën pjese një strukturë e njerëzve që e bëjnë atë nga motive partiake dhe interesa të tjerë, ndërsa nuk mungon edhe një strukturë e gazetarëve sensacional.
Sipas protokollit të MPB-së, pas paraqitjes për zhdukje në MPB ajo duhet të reagojë pas 24 orëve, mirëpo Spasovski tha se policia në praktikë reagon menjëherë edhe para kohës së përcaktuar.
Sipas statistikave, në vitin 2018 ka pasur 370 të paraqitur si të zhdukur në krahasim me vitin 2014, ku ky numër shënonte 574 të zhdukur. Në pesë vitet e fundit, 94% e të lajmëruarve si të zhdukur janë gjetur, thonë nga MPB.