Në dy muajt e parë të vitit 2022 ka trend të uljes për 27 për qind të tentimeve për kalime të paligjshme në vend, por vendi akoma është pjesë e rrugës së Ballkanit Perëndimor nga jugu në veri drejt vendeve të BE-së.
Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, në brifingun diplomatik tradicional “Miqtë e MARRI-t” theksoi se lufta e përbashkët kundër migrimit ilegal vazhdon dhe se nevojiten zgjidhje të unifikuara ligjore dhe procedura të harmonizuara që të mundësohet lëvizja më e lehtë për ata që kanë vendosur apo janë detyruar të migrojnë.
“Janë ndaluar 1.439 tentime, prej tyre në shkurt-764, ndërsa në janar-675 tentime. Madje 77 për qind e tentimeve janë penguar në kufirin me Greqinë ose 1.119 tentime, 280 në kufirin me Serbinë, 28 në kufirin me Shqipërinë, 10 në kufirin me Kosovën dhe 2 në kufirin me Bullgarinë”, tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Duke u përqendruar në aktivitetet që po ndërmarrin, drejtori i Qendrës Rajonale Sashko Kocev midis tjerash vuri në dukje nevojën për bashkëpunimin bilateral dhe rajonal e që kërkon konceptualizimin e vazhdueshëm të politikave në këtë drejtim, harmonizimin ligjorë dhe forcimin e kapaciteteve administrative.
“Po punojmë me kapacitetet tona dhe transformimin e informacioneve në njohuri dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të ofrojmë një raport vjetor mbi rrjedhën e migrimit i cili do t’i ndihmojë administratat të jenë në gjendje të parashikojnë tendencat e mundshme në lëvizjet e migracionit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh drejtori i qendrës rajonale, Sashko Kocev.
Qendra rajonale MARRI, që selinë e ka në Shkup, dhe bëjnë pjesë gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor, është një instrument për shkëmbimin e informacioneve për njerëzit ilegalë. MARRI posedon të dhëna dixhitale për migrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit dhe qasje në internet për përkthyesit nga gjuhët që ata flasin.