30 të punësuar në MPB nga njësi të ndryshme janë shpërblyer sot për shkak të rezultateve të treguara në punën e tyre gjatë vitit të kaluar.
Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, tha me këtë rast se ky shpërblim duhet të jetë motiv jo vetëm për ta, por edhe për të punësuarit e tjerë, që të kryejnë me përkushtim detyrat e tyre dhe të kontribuojnë kështu në rritjen e integritetit dhe besueshmërisë së qytetarëve në punën e policisë.
Ai kërkoi përkushtim maksimal në përballjen me sfidat profesionale dhe sakrificë nga punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrave që i presin.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, potencoi me këtë rast se nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë mosrespektimi i standardeve profesionale dhe qasje selektive ndaj shkelësve të rendit, sepse, sipas tij, para ligjit të gjithë qytetarët janë të njëjtë.