Reformat në shërbimet e inteligjencës, gjegjësisht themelimi i Agjencisë për Siguri Nacionale, Agjencia Operativo-Taknike, përmirësimi i kushteve të përgjithshme në polici, rekonstruimi i 43 objekteve policore, rritja e pagave për mbi 4 mijë e 800 të punësuar policorë, si dhe efikasiteti më të madh policor në kapjen dhe zbardhjen e veprave kriminale në vend, janë vetëm disa nga punët kryesore që autoritetet e policisë i përshkruajnë si suksese gjatë udhëheqjes së tyre dyvjeçare të këtij dikasteri.
Ministri i brendshëm në largim, Oliver Spasovski, në takimin e fundvitit me gazetarët tha se duke zbatuar reformat e nevojshme në MPB, janë ulur dukshëm veprat kriminale, ndërsa nga ana tjetër është rritur besimi i qytetarëve në polici. Spasovski vlerëson se duke pasur bashkëpunim të vazhdueshëm në të gjitha strukturat e brendshme në MPB dhe strukturat ndërkombëtare policore gjatë 2 viteve e gjysmë të qeverisjes së tij me MPB-në, janë përgjysmuar vjedhjet, numri i aksidenteve dhe janë parandaluar shumë raste të trafikimit të madh me drogë, armatim dhe migrantë.
Sipas të dhënave policore, gjatë dy viteve të fundit janë zbuluar 41 grupe kriminale me rreth 320 anëtarë që kanë tentuar të trafikojnë drogë e armatim dhe 8 grupe tjera me gjithsej 81 anëtarë që kanë trafikuar emigrantë në territorin e vendit dhe janë sekuestruar mbi 2 mijë e 900 kilogram marihuanë, 1 milion e 117.527 mijë kokrra drogë sintetike dhe 413 armatime.
Njëherit në takimin me gazetarët u publikua edhe revista ndërkombëtare policore dhe u nënshkrua protokoll mes MPB-së dhe ShGM-së për marrëdhënie të mira ndërmjet punonjësve policorë dhe punonjësve mediatikë.