Specialja, grevat e taksa -Ngjarjet kryesore të vitit 2019 në Kosovë

Viti 2019, filloi me paralajmërimet se do të jetë viti i aktivizimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës me seli në Hagë, çka edhe u konfirmua më pas me nisjen e intervistimeve të shumë prej figurave kryesore të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Muajt e parë të 2019-ës, u karakterizuan me shumë thirrje nga SHBA dhe BE drejtuar autoriteteve në Kosovë që ta pezullojnë taksën 100 për qind që qeveria e Kosovës u kishte vënë importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, por këto thirrje nuk u përfillën nga qeveria në Prishtinë.

Marketing

Pas ftesës për t’u paraqitur për intervistim në Hagë para Gjykatës Speciale, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje, duke e lënë më pas Kosovën për gjysmën tjetër të vitit me një qeveri në detyrë.

Viti 2019, ishte edhe vit i zgjedhjeve, të cilat sollën si rezultat një ndryshim, duke e vënë ish-opozitën fituese në raport me partitë që ishin në pushtet. Megjithatë, dy partitë ish-opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur që të arrijnë marrëveshje për qeverinë e re, duke e lënë paqartësinë të vazhdojë edhe më 2020.

Radio Evropa e Lirë ju sjell një përmbledhje të ngjarjeve kryesore të vitit 2019-të në Kosovë.

NË HAGË NISIN DËSHMITË E DISA ISH-PJESËTARËVE TË UÇK-SË

Prokuroria Speciale në Hagë, filloi intervistimin e disa prej ish-komandatëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Sokol Dobruna e Nazif Mehmeti, ishin të parët që u ftuan nga kjo Prokurori për t’u intervistuar në lidhje me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Intervistimet vazhduan gjatë tërë vitit 2019. Llogaritet se, deri më tani, janë intervistuar mbi 200 persona, ndër ta edhe disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë Speciale janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale, që lidhen me akuzat e ngritura në një raport të Këshillit të Evropës, më 2011. Në këtë raport flitet për krime të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri më 2000.

ARSIMI NË GREVË

Të gjitha institucionet e arsimit në Kosovë filluan grevën me kërkesën kryesore, rritjen e pagave për të gjithë mësimëdhënësit.

Kjo rritje, sipas Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë (SBASHK), mund të realizohej përmes koeficientit të pagave, që pritej të rregullohej me Ligjin për pagat. Si pasojë e grevës, procesi mësimor u ndërpre në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar. Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkoi që greva të ndërpritet. Numri mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.

Greva zgjati deri më 1 shkurt kur u arrit marrëveshja mes Sindikatës së Arsimit dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës për realizimin e kërkesave të mësimdhënësve. Mosmarrëveshjet vazhduan pastaj, për disa javë, mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut, lidhur me kompenzimin e orëve mësimore të humbura gjatë mbajtjes së grevës.

LIDERËT E KOSOVËS TË NDARË RRETH PEZULLIMIT TË TAKSËS

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës prezentuan parimet bazë të platformës për bisedimet me Serbinë, por nuk kanë dhënë një vizion të qartë se si do të veprohet me masën mbi taksën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pa pezullimin e së cilës, Serbia nuk ka pranuar të vazhdojë dialogun, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Platforma për bisedime, e hartuar nga Ekipi negociator e prezantuar edhe para presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, u miratua më pas nga Kuvendi i Kosovës. Por, pavarësisht kësaj, mbeti e paqartë çështja e vazhdimit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të taksës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, propozuan që Kosova të pezullojë taksën, megjithatë, këtë mundësi e ka kundërshtuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vazhdon t’i mbetet besnik taksës, pavarësisht thirrjeve për pezullim edhe nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Më 27 qershor, Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

KTHEHEN 110 KOSOVARË NGA SIRIA

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në Kosovë janë kthyer 110 kosovarë të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri. Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë. “Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Qalaj. Ndërkohë ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri tha se është punuar disa muaj për kthimin e kosovarëve të cilët ishin në zonën e konfliktit në Siri.

SAMITI I BERLINIT PËR BALLKANIN MES DËSHTIMIT DHE SHPRESËS

Samiti i Berlinit i cili u organizua nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në përpjekje për t’u dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perendimor, nuk arriti rezultate. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në përfundim të tij, tha se emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve ishte fakti se “u pajtuam për të mos u pajtuar”. Thaçi tha se takimi nuk ka qenë i lehtë dhe se ka theksuar gjatë bisedimeve se faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet për marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Në anën tjetër kryeministri, Ramush Haradinaj ka refuzuar thirrjet për heqjen e taksës në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i dialogut. Në përfundim të Samitit ishte paraparë të lëshohej një deklaratë e përbashkët e të gjithë pjesëmarrësve, mirëpo kjo nuk ndodhi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para mbajtjes së samitit, kishte theksuar se nuk ka pritje të mëdha nga takimi.

KUVENDI MIRATOI REZOLUTËN QË E FAJËSON SERBINË PËR GJENOCID

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”. Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike, përveç grupit të Listës Serbe. Në rezolutë, pos tjerash, përmenden të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që kryerësit e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës, të dalin para drejtësisë.

LISTA SERBE FITOI NË KATËR KOMUNAT VERIORE

Bazuar në rezultatet e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, kandidatët e Listës Serbe kanë fituar që në rrethin e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës. Zgjedhjet janë mbajtur në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Procesi, u vlerësua se ka kaluar qetë dhe pa parregullësi të mëdha. Kurse dalja e votuesve, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte më e lartë se 42 për qind. Zgjedhjet u mbajtën pasi kryetarët e komunave veriore, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.

DHJETËRA TË ARRESTUAR NË VERI

Policia e Kosovës ka zhvilluar në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili ka rezultuar me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve. Siç kanë njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, 4 zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta gjatë zbatimit të detyrave. Operacioni policor ka përfshirë disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.

PËRVJETORI I LIRISË

Kosova shënoi 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës. Një numër i qytetarëve u mblodhën në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, për të përcjellë nga afër ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë ftuan që të marrin pjesë në këtë jubile, edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright, gjeneralin amerikan Wesley Clark dhe shumë personalitete tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Clinton tha se ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Ndërkaq, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Albright tha se komuniteti ndërkombëtar do të shikojë nga afër progresin e Kosovës.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, konfirmoi se SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë partner mbështetës i Kosovës, porse porositi institucionet e Kosovës që të angazhohen në fuqizimin e fuqizimin e rendit dhe ligjit. Ai bëri thirrje edhe për arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje normalizimi të raporteve me Serbinë.

Vendosja e trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

DASH: KORRUPSIONI PO E SFIDON ZHVILLIMIN EKONOMIK TË KOSOVËS

Departamentit amerikan i Shtetit ka publikuar raportin mbi klimën e biznesit në botë. Në pjesën për Kosovën, theksohet se bizneset vendore dhe ndërkombëtare e citojnë rregullisht korrupsionin, si një nga pengesat më të mëdha të Kosovës, për tërheqjen e investimeve. “Kosova ka miratuar ligje të ashpra për të luftuar korrupsionin, por qeveria deri më tani, ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur penalisht, burgosur dhe konfiskuar asetet e individëve të korruptuar”, thuhet në raport.

HARADINAJ JEP DORËHEQJE, FTOHET NGA GJYKATA SPECIALE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa po e përmbyllte mbledhjen e rregullt të qeverisë e njoftoi kabinetin qeveritar dhe opinionin se ka vendosur të jap dorëheqje. Arsyeja e dorëheqjes, siç tha Haradinaj, është ftesë që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

Ai tha se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet dhe se ai do të paraqitet në Hagë për intervistim. Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të funksionojë në dorëheqje deri në caktimin e zgjedhjeve të lira.

SHPËRNDAHET KUVENDI I KOSOVËS

Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi që të njëjtën ditë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Pas shpërndarjes së Kuvendit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori vendimin për shpalljen e zgjedhjeve tё parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës më 6 tetor, 2019.

RICHARD GRENELL, I DËRGUAR I SHBA-SË PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ky vendim, megjithatë, shihej si befasues, pasi administrata amerikane, në fund të gushtit, kishte emëruar diplomatin Matthew Palmer, të dërguar të posaçëm për Ballkanin, i cili mendohej se, mes tjerash, do të merrej edhe me dialogun.

MBAHEN ZGJEDHJET E PARAKOHSHME PARLAMENTARE

Qytetarët e Kosovës votuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Organizatat monitoruese vendore dhe ndërkombëtare thanë se procesi i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Kosovë ka shkuar mirë, me disa incidente të vogla. Në bazë të certifikimit të rezultatit zgjedhor më 27 nëntor, nga ana e KQZ-së, u bë e ditur se Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 26.27 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.54 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 21.23 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Partinë Socialdemokrate ka marrë 11.51 për qind, Lista Serbe 6.40 për qind të votave dhe Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë ka 5.002 për qind. Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 28, PDK-ja, 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë. Ndërkaq, nga komunitetet joshumicë, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve joserbe.

EKSPERTIZA E KTHEN NË HETIM TË RI RASTIN E VDEKJES SË ASTRIT DEHARIT

Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”, theksohet ndër të tjera, në konkluzionet e ekspertizës.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria e Kosovës konfirmoi se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Disa ditë më pas, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit, të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

NGRIHET AKTAKUZË PËR RASTIN E OLIVER IVANOVIQIT

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti të hënën aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër gjashtë personave, të identifikuar me inicialet: N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J dhe R.B. Veprat e tyre të dyshuara penale përfshijnë: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare. Tre nga të pandehurit gjenden në paraburgim, ndërsa tre të tjerë janë në arrati. Ndaj këtyre tre të fundit, gjykata kompetente ka lëshuar urdhërarrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale. Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se veprimtaritë e grupit kriminal kanë rezultuar me vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq. Ivanoviq ka qenë udhëheqës i iniciativës qytetare serbe “Liria, Demokracia, Drejtësia”. Ai u qëllua për vdekje pranë zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut, në janar të vitit 2018.

PISA E RADHIT KOSOVËN EDHE MË KEQ SE NË VITIN 2015

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, e radhiti këtë vit Kosovën në vendin e 77-të, në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Kosova, në këtë listë, lë prapa vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet. “PISA”, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim, ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë. Vlerësimi në shkollat e Kosovës është realizuar në muajin prill të vitit të kaluar.

Kosova për herë të parë ka qenë pjesë e këtij vlerësimi në vitin 2015, kur edhe atëherë ka treguar rezultate të dobëta.

Atëbotë, Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në këtë test.

KUSHTETUESJA PEZULLON LIGJIN PËR PAGA

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik. Në një komunikatë për media të Gjykatës Kushtetuese, thuhet të zbatohet “masa e përkohshme në kohë zgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes se këtij vendimi” dhe të “pezullohet menjëherë zbatimin e këtij ligji në kohëzgjatje të njëjtë”. Ligjin për paga, më 6 dhjetor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Ky ligj rregullon rritjen e pagave të 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë. Pezullimi i zbatimit të këtij ligji, ngjalli reagime të ndryshme. Sindikatat e punëtorëve që përfitojnë ngritje të pagave nga ky ligj kërkuan zbatimin e menjëhershëm të tij, ndërkaq punëtorët që nuk përfitojnë, e përshëndetën vendimin.

FONDI REZERVË I KOSOVËS MBETET PA ASNJË CENT

Qeveria në largim e Kosovës tashmë ka shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga Fondi rezervë i buxhetit për këtë vit. Ky Fond, sipas ligjit mund të shpenzohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara. Njohës të çështjeve ekonomike, konsiderojnë se shpenzimi i mjeteve nga rezervat buxhetore për qëllime joemergjente, është abuzim me paranë publike. “Vetë emërtimi i Fondit tregon që këto para nuk duhet të preken, duhet të qëndrojnë si rezervë. Kështu që çdo prekje e atij buxheti është joligjor, johuman dhe jo i drejtë”, tha ish-drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni. Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se mjetet e Fondit rezervë të Kosovës, janë shpenzuar në përputhje me ligjin.

VV DHE LDK PA MARRËVESHJE PËR BASHKËQEVERISJE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar se partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës. Ai nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK shkojnë pa marrëveshje.

Ndërkohë ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Facebook se negociatat nuk kanë dështuar. “Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, ka thënë mes tjerash ai.

KONSTITUOHET KUVENDI – GLAUK KONJUFCA, KRYETAR

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime. Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës. Neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë. Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.